Vulin: Beogradi nuk i pranon shantazhet e Prishtinës!

Drejtori Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin, tha sot se Beogradi është i gatshëm që ta vazhdojë dialogun me Prishtinën, por se “nuk mund të bien dakord për shantazhet dhe dhunën që vjen nga ana tjetër”.

Ai madje tha se përfaqësuesit serbë nuk do të takohen me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, sepse “ai nuk ekziston”, por me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës!
Sipas tij, Beogradi është i gatshëm “që nesër për ta vazhduar dialogun”, por në këtë proces “duhet të ndërlidhen edhe Kombet e Bashkuara”.

“Por, kjo varet nga vendimet e Këshillit të Sigurimit, Brukselit, e jo vetëm nga Serbia. Ne besojmë se negociatat do të jenë shumë më të shpejta e më të suksesshme nëse Kombet e Bashkuara përdorin autorizimet e tyre”, tha Vulin për “Beta”, duke shtuar se kjo iniciativë nuk e sjellë Beogradin në konflikt me BE-në dhe SHBA-të.

I pyetur se çfarë do të bënte nëse OKB-ja nuk do të angazhohej në dialog, por vetëm BE-ja, Vulin shprehet se Beogradi “nuk do të shmanget nga asnjë negociatë”.

“Sa për ne, negociatat janë e vetmja zgjidhje”, tha ai. “Serbia dëshiron dialog në një nivel më të lartë politik, që do të ishte një sinjal për bashkësinë ndërkombëtare dhe qytetarët në Kosovë se Beogradi dëshiron që seriozisht t’i zgjidhë problemet në krahinë. Por, duhet të jetë e qartë se përfaqësuesit serbë nuk do të takohet me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, sepse ‘ai nuk ekziston’, por me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës. Beogradi nuk mund të flas me njeriun të cilit i ndalohet hyrja në gjysmën e shteteve të BE-së”.

I pyetur nëse bisedimet kanë kuptim kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se në to mund të flitet vetëm për marrëdhëniet mes dy shteteve të pavarura, Vulin shton se “komuniteti ndërkombëtar që ka ndikim në Prishtinë duhet t’ia shpjegojë Thaçit se ‘dialogu nuk do të thotë monolog’”.

Sipas tij, për shkak të dialogut me Prishtinën, duhet një konsensus për Kosovën në Beograd.

“Marrëveshja për Kosovën tregon se cilat janë ato parti sistematike e cilat jo. Nuk është e vërtetë që të gjitha partitë parlamentare besojnë se Kosova nuk mund të bëhet një shtet i pavarur. Ekziston nevoja që para publikut të kristalizohet situata dhe të dihet se cilat parti janë për respektim të Kushtetutës, e cilat që Kushtetuta të respektohet në mënyrë selektive”, tha ai. “Le të përpiqemi t’i përputhim mekanizmat. Konsensusi duhet të jetë pronë e të gjithë qytetarëve dhe partive, diçka që nuk do të ndryshojë në të ardhmen”. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakMbesin pa gjumë shkaku i zhurmës së natës nëpër kafiteri
Artikulli vijuesNata e Kadrit, organizim madhështor në Tiranë