Sudani bëhet vendi i tretë që ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin; Emiratet ulin nivelin e tyre

Sudani bëhet vendi i tretë pas Arabisë Saudite dhe Bahrejnit që i ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Në një deklaratë të Ministrisë së jashtme sudaneze thuhet: “Në përgjigje të sulmeve barbare mbi ambasadën e Arabisë Saudite në Teheran dhe mbi konsullatën në Meshhed, qeveria e Sudanit njofton ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit.”

Emiratet e Bashkuara Arabe bënë të ditur po ashtu se po e zbresin nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme të EBA-ve u dha pasditen e sotme. Emiratet e Bashkuara Arabe do ta reduktojnë numrin e diplomatëve iranianë në vend, e po ashtu po e tërheqin ambasadorin e tyre në Teheran.

Në njoftim sqarohet se Emiratet do të përqendrohen vetëm në marrëdhëniet tregtare me Iranin, e se e ndërmarrin veprimin e sotëm për shkak të “ndërhyrjes së vazhdueshme të Iranit në punët e brendshme të vendeve arabe dhe të Gjirit Persik.”

Zjarri i vënë ambasadës së Arabisë Saudite në Teheran nga protestuesit iranianë orët e para të së dielës solli fillimisht reagimin e sauditëve, të pasuar sot nga tre vende të tjera. Tensioni është përshkallëzuar që prej së shtunës, pas ekzekutimit të 47 personave në Arabinë Saudite, mes të cilëve gjendej dhe një klerik shiit.

Artikulli paraprakMoska kërkon të pajtojë A.Saudite me Iranin
Artikulli vijuesFëmijët në shkollat malajziane dëgjojnë ligjërata kundër ISIS-it