Sudani dhe Bangladeshi në prag të njohjes

Sudani dhe Bangladeshi janë dy vendet tjera që pritet ta njohin Republikën e Kosovës. Pas njohjes nga Pakistani, disa vende në Azinë Lindore po e shqyrtojnë me kujdes mundësinë e njohjes së Kosovës.

Indeksonline ka kontaktuar me të ambasadorin në Arabinë Saudite nga Republika e Kosovës, Rexhep Boja, i cili ka thënë se njohja e Pakistanit është pritur shumë mirë të disa vende tjera islamike.

“Menjëherë pasi që Pakistani e njohu Republikën e Kosovës, e kam vizituar këtë vend, ku zyrtarët e këtij shteti ishin të gëzuar me hapin që e kishin ndërmarrë”, ka deklaruar Boja.

Njohja e Pakistanit i ka hapur rrugë njohjeve tjera dhe kjo sipas Bojës, është njohje me shumë ndikim.
“Mendoj që është hapur dera për njohje të reja në Azinë Lindore dhe neve na mbetet të punojmë më shumë për të arritur sa më shumë njohje”, ka thënë Boja, duke shtuar se, njohja e Pakistanit është me ndikim dhe besoj që edhe ato vende që nuk na kanë njohur akoma, të veprojnë njëjtë sikur Pakistani.

E sa i përket njohjeve që pritet të ndodhin, ambasadori në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, ka thënë për Indeksonline se, Sudani dhe Bangladeshi janë dy vendet që po e shqyrtojnë njohjen e Republikës se Kosovës.
“Ne po bëjmë përpjekje që këto dy njohje të ndodhin sa më parë që të jetë e mundur”, ka pohuar Boja, duke shtruar se pas njohjes nga Pakistani, ka kërkuar që ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të vizitojë këtë vend dhe të shqyrtojë mundësitë e lobimit për njohje të tjera.
Bisedimet Prishtinë-Beograd po përcillen me interes të madh edhe në Arabinë Saudite.
Boja tha se negociatat që po zhvillon Kosova me Serbinë shihet që kanë ndikuar pozitivisht edhe te vendet islamike që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

E derisa institucionet e Republikës së Kosovës po presin njohje nga vendet islamike, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij, duhet të dërgojë lobues në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e veçanërisht në shtetet e mëdha islamike. Njohja nga Pakistani e ka frikësuar atë dhe këtë shqetësim e ka shfaqur hapur.

Daçiq e ka përmendur njohjen e fundit të Kosovës nga Pakistani, ndërsa ka shtuar se nëse këtë e bën edhe Egjipti, Serbia mund të ketë pasoja të mëdha.kohaislame

Artikulli paraprak270 mijë të papunë në Kosovë
Artikulli vijuesLAVROV: PËRDORIMI I ARMËVE KIMIKE DO TË ISHTE VETËVRASJE PËR REGJIMIN E SIRISË