LAVROV: PËRDORIMI I ARMËVE KIMIKE DO TË ISHTE VETËVRASJE PËR REGJIMIN E SIRISË

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar për herë parë publikisht regjimin e Sirisë në lidhje me armët kimike në një intervistë të dhënë për rrjetin televiziv “Russia Today”.

Probabilitetin që Siria të përdorë në luftë “armë kimike” kundër opozitarëve Lavrov e vlerësoi si “një vetëvrasje politike”.

“Nuk besoj se Siria do të përdorë armë kimike. Në rast se kjo ndodh, do të përbënte një vetëvrasje politike të qeverisë”, deklaroi kreu i diplomacisë së Moskës për televizionin rus, që transmeton në gjuhën angleze.

“Çdo herë që marrim ndonjë njoftim apo hamendje, që tregon se sirianët kanë përdorur armë kimike, i verifikojmë dy dhe tre herë duke iu drejtuar qeverisë së vendit dhe çdo herë na kanë garantuar se nuk do të përdornin armë të tilla cilat do qofshin rrethanat apo situata”, theksoi ai.

Lavrov akuzoi edhe vendet perëndimore për luftimet, që vazhdojnë prej 21 muajsh në Siri, duke thënë se Perëndimi bën dallimin terrorist “i mirë” dhe “i keq”.

Kryediplomati rus vlerësoi gjithashtu dislokimin e raketave “Patriot” përgjatë vijës kufitare Turqi-Siri, ndërsa pretendoi se këto lloj raketash mund të jenë pjesë e projektit të mbrojtjes antiraketë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sergei Lavrov tërhoqi vëmendjes se disa specialistë dhe shkencëtarë janë të mendimit se sistemi raketor në fjalë nuk po dislokohet në Turqi kundër kërcënimeve të mundshme nga Siria, por për qëllime të tjera.

“Disa ekspertë mendojnë se raketat ‘Patriot’ po vendosen për të mbrojtur sistemin e mbrojtjes raketore amerikane në Turqi. Ne e pranojmë të drejtën e Turqisë për të mbrojtur sigurinë e saj, por grumbullimi i armëve në rajon rrit ndjeshëm rrezikun e përdorimit të tyre”, nënvizoi ministri i Jashtëm rus.

Ndërkaq, i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lahdar Brahimi, realizoi sot në Damask një takim me Presidentin sirian, Beshar Esad. Më parë Brahimi kishte njoftuar se do t’i përcillte Esadit “propozimin e përbashkët të Moskës dhe Uashingtonit”, i cili përfshin edhe qëndrimin e Esadit në detyrë deri në vitin 2014.kohaislame

Artikulli paraprakSudani dhe Bangladeshi në prag të njohjes
Artikulli vijuesFakte që nuk i keni ditur për krishtlindjet