DEBATIN PËR REFERENDUM E KA RINGJALLUR NJË KONTEST NË NJË FSHAT TË SUHAREKËS, KU BANORËT KANË DEKLARUAR QËNDRIME TË NDARA NËSE DUHET NDËRTUAR NJË XHAMI OSE JO. UJDIA QË PALËT E KANË MBËRRI ËSHTË QË I GJITHË FSHATI TË DEKLAROHET ME VOTË, SHKRUAN SOT KOHA DITORE.
Dhe, referendumi është iniciuar nga kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj. Për ta organizuar atë tashmë ka themeluar një komision. Madje, për këtë çështje ka zhvilluar të mërkurën edhe disa korrespodenca me autoritetet qendrore – Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Komuna e Suharekës do të organizojë referendum në fshatin Dubravë lidhur me çështjen e lejimit të ndërtimit të objektit të xhamisë në parcelën 399-2 zona kadastrale Dubravë”, thuhet në shkresën adresuar KQZ-së.
“Andaj, kërkojmë nga ju që të na e lejoni z. Skënder Qelaj – zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve në Komunën e Suharekës, që të na ofrojë mbështetje profesionale dhe teknike lidhur me organizimin e referendumit”./kohaditore