Sulmuesi në Munih mund të jetë i frymëzuar nga Breivik

Sulmi i realizuar nga Anders Breivik para saktësisht pesë vjetësh në Norvegji, mund ta ketë frymëzuar sulmin e mbrëmjes së 22 korrikut në Mynih të Gjermanisë, vlerëson policia gjermane.

Sulmi i kryer në një qendër tregtare në qytetin jugor gjerman, që mori jetën e nëntë personave vlerësohet të jetë frymëzuar nga vrasja e 77 personave në Norvegji.

“Breivik mund ta ketë luajtur ndonjë rol”, ka thënë gjatë konferencës me gazetarë në Mynih, shefi i policisë së këtij qyteti, Hubertus Andrae.

Ai ka shtuar se në dhomën ku ka jetuar autori i sulmit, janë gjetur materiale për sulme masive me armë.

Në mesin e viktimave tashmë është konfirmuar se janë edhe tre të rinj me origjinë nga Kosova.

Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se policia tashmë ia ka konfirmuar konsullatës së Kosovës që tre prej nëntë viktimave janë me origjinë nga Kosova.

“MPJ shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira për ta dhe gjithë komunitetin shqiptar kudo në botë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë.

Viktimat janë identifikuar nga vetë familjet e tyre.

Naim Zabërgja, me origjinë nga Kosova ka njoftuar të gjithë familjarët dhe miqtë e tij përmes Facebook se, “djali im Dijamant Zabërgja, 21 vjeçar u vra dje në Mynih nga dora terroriste”.

Edhe familjet e dy vajzave shqiptare, njëra prej të cilave vetëm 14 vjeç raportohet se e kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale vrasjen e tyre.

Armela Vajza, motra dhe shoqja jonë e dashur ndërroi jetë. Faleminderit për shpresat dhe ndihmën dhe mbështetjen”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Arbnor Segashi.

Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se MPJ dhe Ambasada e Kosovës “është në dispozicion të familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të prekur mbrëmë nga kjo ngjarje shokuese dhe e dhimbshme”.

Autoritetet ndërkaq thonë se 18-vjeçari nënshtetas gjerman me origjinë nga Irani, mund të ketë provuar gjithashtu që të mbledhë sa më shumë viktima afër një prej restoranteve të “McDonalds”, ku edhe e ka nisur sulmin.

Ai, përmes një postimi fals në Facebook ka ofruar ushqime falas për ata që shkojnë në atë restorant, njofton më tej policia gjermane.

Policia, gjithashtu, shton se sulmuesi, i cili mund të ketë qenë i sëmurë mendor, ka pasur me vete 300 fishekë në çantën që e mbante në shpinë.

Policia gjermane në Mynih ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ofrojnë video-regjistrime, fotografi apo edhe regjistrime audio që mund t’i kenë bërë gjatë të shtënave të premten në Qendrën tregtare në Mynih.

Nëntë persona u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën, tre nga të cilët janë në gjendje të rëndë, në një qendër tregtare, kur një sulmues i vetëm shtiu me armë zjarri, e më vonë vrau veten në afërsi të qendrës, tha policia.

Shefi i policisë, Hubertus Andrae, ju tha gazetarëve se i dyshuari nuk kishte të kaluar kriminale dhe nuk ishte i njohur për policinë më parë.

Artikulli paraprakMjekët besnik të organizatës terroriste FETO refuzuan të ndihmojnë të plagosurit në Turqi
Artikulli vijuesERDOGAN: Nëse nuk i pastrojmë do ta paguajmë shumë rëndë