Super e marta 2: Bie Rubio, udhëheqin Klinton dhe Tramp

Pas humbjes në Florida nga gara tërhiqet Marko Rubio. Megjithëse udhëheq bindshëm Tramp mund të mos arrijë shumicën, ndërsa Klinton thuajse ka siguruar nominimin

Rezultatet e super të martës. E marta ka qenë natë e shkëlqyer për udhëheqësit e garës në të dy partitë. Në anën demokrate Klinton ka lënë pas shijen e hidhur nga humbja në Miçigan, duke fituar katër nga pesë shtetet ku është votuar: Florida, Karolina e Veriut, Ilinois dhe Ohajo. Në shtetin e pestë, Misuri, rezultati është tepër i ngushtë për të dhënë verdikt përfundimtar pasi Klinton udhëheq me vetëm 1600 vota, apo 0.2% të totalit. Sidoqoftë nëse fitoret në Florida dhe Karolinë të Veriut kanë qenë të pritura, lajm i mirë për Klintonin kanë qenë fitoret e lehta në Ilinois dhe Ohajo. Me këtë Klinton vërtetoi se nuk do të ketë problem të fitojë në të gjitha anët e vendit, madje edhe në pjesën industriale të veriut që demografikisht pretendohej se favorizon Sandersin.

Në anën republikane rezultate tepër të mira ka patur lideri Tramp. Ai deklasoi Rubion në Florida dhe fitoi në Karolinë të Veriut dhe Ilinois. Në Misuri ende nuk është përcaktuar fituesi pasi Tramp udhëheq ndaj Kruzit me vetëm 1700 vota, që janë 0.2% e totalit. Të vetmen humbje Tramp e ka pësuar në Ohajo, ku guvernatori Kasiç ka fituar lehtë me 11% dallim.

Bie Rubio. Lajmi më i madh i natës padyshim ka qenë humbja e thellë e Rubios në shtetin e tij Florida. Tramp ka fituar shtetin me 46%-27%, ose me 400.000 vota epërsi, duke fituar madje çdo komunë përveç Majamit ku banon Rubio. Humbja e thellë e ka detyruar Rubion që menjëherë pas shpalljes së rezultateve të dorëhiqet tërësisht nga gara.

Humbja e Rubios është një goditje tjetër e rëndë për establishmentin republikan. Gjatë kohë Rubio ka qenë fytyra e re e partisë republikane dhe favorit i ri i establishmentit. Madje tre vite më parë gazeta Tajm e kishte shpallur atë “shpëtimtar i partisë republikane”. Rubio nisi mirë garën duke dalur shumë afër Trampit në Ajova, për të dështuar më pas në Nju Hempshër pas debatit katastrofal me Kristin. U rikthye në Karolinën e Jugut, ndërsa hov të madh mori posaçërisht pas tërheqjes së Bushit. Që aty Rubio pat mbështetjen e pakontestueshme të gjithë establishmentit, qoftë me paraqitje publike, qoftë me donacione. Mirëpo ai nuk arriti të shoqërojë këtë mbështetje me rezultate të mira. Nga 20 e ca shtete që votuan deri të martën Rubio arriti të fitojë vetëm në Minesota, në territorin e Porto Rikos dhe kryeqytetin Uashington. Garën e përfundoi me 169 delegatë.

Delegatët demokratë. Në anën demokrate Klinton rikthen momentin, si duket njëherë e përgjithmonë. Ajo ka 300 delegatë më tepër se Sandersi, pa llogaritur këtu 400 e ca superdelegatët që e mbështesin direkt atë. Deri tash Klinton ka arritur të fitojë 108% të delegatëve që duhej ti ketë deri sot, ndërsa Sanders vetëm 83%. Me këto shifra duket se Klinton ka shuar njëherë e mirë të gjitha dilemat për nominimin në partinë demokrate.

sHillary-Clinton sBernie-Sanders
Delegatë 1.139 825
% e nevojshme deri sot 108% 83%

 

Delegatët republikanë. Megjithëse Tramp udhëheq bindshëm te republikanët, gara për delegatë aty është shumë më e paqartë. Tramp ka afër 260 delegatë më tepër se Kruzi që rradhitet i dyti, por ai ka mbledhur vetëm 96% të delegatëve që duhej t’i kishte deri sot. Sipas disa llogarive ai duhet të fitojë mbi 60% të delegatëve të mbetur për të fituar shumicën, gjë që mund të jetë problematike sepse Tramp nuk ka arritur 50% të votave në asnjë shtet. Situatën e komplikojnë edhe më tepër delegatët e fituar nga kandidatët që kanë lënë garën, sidomos 169 delegatët e Rubios, që nuk dihet se në cilën anë mund të rreshtohen në konventë.

sDonald-Trump sTed-Cruz sMarco-Rubio sJohn-Kasich
Delegatë 673 410 169 143
% e nevojshme 96% 54% 25%

 

Për të fituar shumicën duhen gjithsej 1.237 delegatë, pra Trampit i duhen edhe 564. Kruz e ka edhe më të vështirë, ndërsa Kasiçmatematikisht të pamundur për të arritur këtë numër. Prandaj pikëpyetja më e madhe në garën republikane është se a do mund ndonjëri kandidat të arrijë shumicën apo zgjedhja do të bëhet në konventë. Në këtë drejtim do të ndihmojnë shumë shtetet që do të votojnë të ardhshmet: Arizona dhe Juta të martën tjetër dhe Uiskonsin dy javë më pas.

          

Artikulli paraprakNdërron jetë djali i Shaban Polluzhës, Ramadan Kastrati
Artikulli vijuesRusisë i ka mbetur naftë vetëm edhe për tri dekada