Shtëpia Fokus Tabanoc: Jeta prej muajsh në kampin e refugjatëve…

Tabanoc: Jeta prej muajsh në kampin e refugjatëve…

Në kampin e Gjevgjelisë, përgjatë kufirit me Greqinë dhe atë në Tabanoc, përgjatë kufirit me Serbinë për më shumë se katër muaj rreth 200 migrantë nga Siria, Afganistani dhe Iraku presin me shpresë që t`u mundësohet të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shkruan REL.

Një nga ta është dhe Muhamedi 55-vjeçar, i cili bashkë me të shoqen dhe vajzën, thotë se për çdo ditë zgjohet me shpresë që të ndodhë mrekullia dhe t’i lejohet të shkojë në Gjermani ku i kanë shkuar dy vjet më parë dy djemtë e tij.

“Për katër muaj kemi ngecur në këtë vend. Destinacion yni s`ka qenë asnjëherë Maqedonia, andaj kam refuzuar të kërkoj azil në Maqedoni. Nuk mund të kthehem as në Siri, sepse atje tashmë s`më ka mbetur asgjë, as shtëpi, as punë, e as ajo që është më e rëndësishmja, familje”.

“Pres të ndodhë mrekullia dhe të na lejohet të vazhdojmë rrugën drejt Gjermanisë, ku kam dhe dy djemtë, të cilët për dy vjet ndodhen atje dhe tashmë kanë filluar të vazhdojnë studimet”, thotë Muhamedi.

Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “LEGIS” thotë se sipas marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për bashkimin e familjeve, refugjatët të cilët ndodhen në vendet anëtare të BE-së,u mundësohet bashkimi familjar, por jo edhe ata të cilët ndodhen në vendet që nuk janë anëtare të BE-së siç është Maqedonia.

“Disa migrantë, të cilët ndodhen në Maqedoni, nëpërmjet Ambasadës Gjermane në Shkup, kanë kërkuar që t’u mundësohet të shkojnë në Gjermani ku e kanë pjesën tjetër të familjes, por nga ambasada janë përgjigjur se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm pasi ata të jenë kthyer në Greqi, shtet ky që është anëtar i BE-së dhe nga atje të thirren në mundësinë e bashkimit familjar. Por, gjithsesi, kjo nuk paraqet garanci migrantët do të marrin përgjigje pozitive, andaj ata kanë mbetur sipas asaj thënies popullore ‘as në tokë e as në qiell’ “, shpjegon Rexhepi.

Komiteti i Helsinkit në Shkup gjatë kësaj jave ka njoftuar se rreth 1300 migrantë ilegalisht e kanë kaluar kufirin me Serbinë dhe janë nisur drejt vendeve të BE-së, ndërkohë që në kampin e Gjevgjelisë dërgohen të gjithë ata migrantë të cilët përmes rrugëve ilegale depërtojnë në Maqedoni nga Greqia dhe më pas kthehen në këtë shtet.

Kampi i Tabanocit përgjatë vijës kufitare me Serbinë, i cili ka kapacitet për të pranuar një mijë migrantë të dielën dukej pothuajse i boshatisur.

“Për momentin në kampin transitues të Tabanocit ndodhen 71 migrantë. Kjo pjesë e mbetur e migrantëve ka për qëllim të vazhdojë rrugën drejt Evropës por në mënyrë legale. Bëhet fjalë për familje që kanë persona të moshuar dhe fëmijë dhe nuk janë të gatshëm për të marrë mbi supe rreziqe gjatë gjetjes së rrugëve ilegale”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Arbnor Tefiku,ndihmës udhëheqës i Qendrës transitore të emigrantëve në Tabanoc.

Organizatat humanitare në vazhdimësi u bëjnë thirrje autoriteteve të vendit që Maqedonia si shtet, të jetë e gatshme për të pranuar një valë të re të refugjatëve nëse aktivizohet sërish rruga Ballkanike në rast se dështon marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

Artikulli paraprakNdërron jetë 18-vjeçari shqiptar që u godit me thikë katër herë
Artikulli vijuesVETËDEMASKOHEN APOLOGJETËT E VËRTETË TË TERRORIZMIT