Takimi sekret i politikanëve kosovarë në Tiranë: prej kujt po fshihen?

Në përpjekje për të kaluar krizën politike, partitë kosovare fundjavën e kaluar kanë mbajtur një takim të fshehtë në Tiranë.

Ky takim ashtu si edhe tetë takimet e tjera janë realizuar me ndërmjetësim të Naim Rashitit nga Grupi Ballkanik për Politika.

Ky i fundit ndonëse ka njoftuar për takimin nuk ka treguar se çfarë konkretisht kanë biseduar zyrtarët e partive.

Megjithatë, duke pasur parasysh takimet e kaluara Demarkacioni dhe Asociacioni sigurisht se kanë dominuar takimin.

“Dialogu politik i filluar vitin e kaluar do të vazhdojë i pandërprerë dhe të gjtiha çështjet e rëndësishme do të jenë pjesë e diskutimeve midis subjekteve politike. Kësaj radhe ky takim ndodhi ne Tiranë e takimet tjera do të vazhdojnë të mbahen në Prishtinë, dhe jo vetëm”, ka njoftuar Rashiti.

Nga vet paralajmërimi i Rashitit për takime të tjera në Prishtinë dhe qytete tjera, shihet se palët as në Tiranë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre tashmë të njohura.

Dhe sigurisht takimet si të fundit do jenë të dështuara, kur kihet parasysh fakti se partitë politike nuk kanë gjetur rrugëzgjidhje as kur takimet janë mbajtur në nivel të liderëve.

Pyetja kryesore është pse takimet e tilla të mbahen jashtë shtetit dhe larg syrit të mediave?

Si mazhoranca edhe opozita duhet të tregojë arsyen se pse ka nevojë të mbajnë takime jashtë shtetit për tema të brendshme dhe pse të mos ulën në një nga sallat e institucioneve, qoftë kuvendit ose qeverisë apo në ndonjë nga zyrat e partive?

Pra mbetet enigmë se nga kush dhe pse po fshihen politikanët të cilët për çdo ditë “tmerrojnë” qytetarët qoftë me fjalorin e tyre banal, ashtu edhe me luftën që bëjnë mes vete.

Duke ditur se as në Tiranë nuk arritën të dakordohen, tashmë mbetet të mësohet se cili qytet do i bëjë bashkë sërish “armiqtë” e politikës në kërkim që t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit.

Ndonëse aktualisht nuk po shihet dritë në fund të tunelit, ulja në tryezë në një qytet tjetër padyshim se do jetë shtëtija e radhës e politikanëve kosovare ku padyshim se mund ta shfrytëzojnë rastin të darkojnë nëse jo bashkarish, sigurisht veçmas.

Artikulli paraprakKasami: Brukseli mbështet shumicën parlamentare
Artikulli vijuesOpinioni pozitiv për punën e Trump-it bie në 37%