Të burgosurit në kampet e përqendrimit në Serbi: Vazhdimisht të uritur, vdisnin nga torturat

Në kampet Shljivovica, Mitrovo Polje dhe Mitrovica e Sremit, janë regjistruar dhjetëra raste të torturës dhe trajtimit çnjerëzor të policëve serbë mbi burrat dhe të rinjtë boshnjakë

Mbi 1.000 boshnjakë në mesin e të cilëve të mitur dhe pleqë kanë kaluar nëpër kampet e përqendrimit të cilat ishin ndërtuar në territorin e Serbisë në periudhën e luftës së vitit 1992-1995, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në mesin e tyre, përveç boshnjakëve ka patur edhe kroatë, numri më i madh i tyre të kapur në Vukovar. Shljivovica, në rajonin e komunës Çajetina (në afërsi të Uzhicës) në Serbi, ka qenë dikur kamp për boshnjakët e Podrinjës.

Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) në kampet Shljivovica dhe Mitrovo Polje, nga gushti i vitit 1995 deri në prillin e vitit 1996 kanë mbajtur rreth 800 burra dhe të rinj boshnjakë nga Zhepa, Srebrenica dhe rrethina të cilët pas sulmit mbi Zhepën kanë kaluar lumin Drina për të kërkuar strehim në Serbi.

Ish të burgosurit kujtojnë edhe kampin në Mitrovicën e Sremit, për të cilin thonë se ka qenë vend i torturave të tmerrshme.

Në kampet Shljivovica, Mitrovo Polje dhe Mitrovica e Sremit, janë regjistruar dhjetëra raste të torturës dhe trajtimit çnjerëzor të policëve serbë mbi burrat dhe të rinjtë boshnjakë.

Të paktën pesë persona kanë përfunduar të vdekur.

Nga të rrahurat, nuk lëviznin me ditë

Senad Jusufbegoviç ka qenë vetëm 17 vjeç kur në korrikun e vitit 1995 kaloi lumin Drina për t’u strehuar në Serbi, mirëpo ai, në vend që të gjejë strehim, përfundoi në kamp ku mbeti edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit e cila i dha fund luftës.

Lirimi i tij u bë në shkurt të vitit 1996. Senadi ishte kapur më 31 korrik 1995 në zonën e malit Zvijezda dhe ishte dërguar në Jagoshnicë dhe më vonë në kampin Shljivovica.

“Në kampet kalova tetë muaj dhe dhjetë ditë. U ishim nënshtruar torturave, ndërsa njerëzit merreshin në pyetje dhe fotografoheshin sikur të ishin kriminelë. Vazhdimisht ishim të uritur. Njerëzit rriheshin ndërsa marrjet në pyetje ishin brutale”, rikujton Jusufbegoviç ditët e kaluara në kamp.

Ai thotë se nga të rrahjet, njerëzit nuk mund të lëviznin dot për ditë të tëra, ndërsa ankohet edhe për kushtet jonjerëzore higjienike të cilat kanë bërë paraqitjen e morrave. Jusufbegoviç thotë se në një nga kampet Shljivovica dhe Mitrovo Polje kanë kaluar 803 persona, në mesin e të cilëve ka patur dhjetëra të mitur dhe persona të moshës mbi 60 vjeçare, për të shtuar se në territorin e Serbisë ka pasur më shumë kampe por se Shljivovica, Mitrovo Polje dhe Mitrovica e Sremit kanë qenë kampet më në zë.

Ai ankohet se institucionet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës asnjëherë nuk kanë shfaqur ndonjë interes të theksuar për të hetuar kampet në të cilat kanë përjetuar torturat nga më të tmerrshmet sepse siç thotë për AA, shumica i quan këto vende “qendra të pranimit”.

Me ndërmjetësim të UNHCR-së, në vitin 1996 ai është kthyer në BeH, por shprehet se ka nevojë për ndihmë profesionale për traumat e përjetuara, sidomos kur ka parë njerëzit duke u alivanosur nga torturat.

Protagonisti tjetër i rrëfimit të AA është Amir Omerspahiç nga vendi Han Pijeska i cili pas rënies së Zhepës në duart e serbëve në korrik të vitit 1995 është kapur dhe dërguar në kampin në Shljivovicë.

Siç rrëfen, torturat kishin filluar menjëherë pas kapjes ku ishin radhitur në kolonë nga dy me duart prapa qafe, ndërsa nga goditjet që kishte marrë, atij i ishte thyer një gisht.

Pasojat e torturës në kampe akoma të pranishme

Omerspahiç thotë se në Shljivovicë kishte përjetuar një ferr të vërtetë. “Merreshim në pyetje për 24 orë rresht për krime të cilat nuk i kishim kryer. Kishte periudha kur nuk ushqeheshim për dy ditë të tëra”, rikujton ai.

Pas lirimit në janar të vitit 1996, ai shkon në Amerikë por pas disa muajve të kaluara atje, vendos të kthehet në vendlindje.

Emir Agiç ka qenë 17 vjeç kur është kapur bashkë me babain e tij Eminin dhe janë dërguar në llogorin Shljivovica. Sot është profesor i anglishtes dhe njeri familiar.

Siç thotë ai, menjëherë pas kapjes nga ushtria kufitare kanë filluar maltretimet, dhe rrugës për në kamp dy herë ishin ndaluar për pushkatim. Agiç rrëfen se nga të gjitha torturat, më së vështiri e ka patur të shohë goditjet që i janë bërë babait të tij.

“Më 29 janar u transferuam në Amerikë. Ishim gjithsej 215 persona”, thotë Agiç sipas të cilit një i liruar kishte kryer vetëvrasje.

Një protagonist tjetër është Jasmin Meshkoviç i cili më 5 prill 1992 ishte kapur në Bërçko bashkë me gruan dhe djalin e ti.

Ai thotë se më parë kishte punuar në armatën e Jugosllavisë (JNA) në po të njëjtën armatë e cila e kishte burgosur atë dhe dërguar në kampin në Mitrovicë të Sremit.

Në Mitrovicë të Sremit ishin anëtarët e ushtrisë kroate nga Vukovari

Nga rrahjet e shumta, Meshkoviç pëson goditje në tru e cila e bllokon trupin e tij, por siç rrëfehet, as kjo nuk i ka ndalur rrahjet ndaj tij. “Në qelitë që ishin afër times dëgjoja britma dhe ofshama. Kjo nuk mund të përshkruhet në asnjë film”, thotë Meshkoviç.

Siç rrëfehet Meshkoviç, pas torturave të përjetuara është dërguar në spitalin ushtarak ku është rikuperuar nga të rrahurat që më pas të dërgohet në vendin Simin Hanu në afërsi të Tuzllës ku është këmbyer për gjeneral-kolonelin Momir Zec.

“Kampi në Mitrovicën e Sremit i cili më parë kishte funksionuar si një institucion korrektues, është një kamp përqendrimi të cilin nuk do të mund ta përshkruaj asnjë film. Pyes veten se me çfarë oreksi ata rrihnin dhe torturonin njerëzit sepse nga goditjet thyheshin shkopinjtë”, tha Meshkovic.

Përmes këtij kampi kanë kaluar rreth 200 boshnjakë.

Tortura ndaj boshnjakëve në kampet në Serbi nuk ka qenë subjekt i ndonjë aktakuze

Sipas hetimeve të cilat i ka kryer Fondi për të Drejtë Humanitare, tortura e përjetuar në gusht të vitit 1995 nga burrat të cilët nga Zhepa kaluan në territorin e Serbisë nuk ka qenë lëndë e asnjë aktakuze në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Ndodhitë nga llogoret në Serbi (Shljivovica dhe Mitrovo Polje) nuk janë përfshirë në verdiktin e GJND-së në lëndën e BeH-së kundër Jugosllavisë për gjenocidin e kryer në territorin e BeH-së.

Kah fundi i tetorit të vitit 2016, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg, vendosi të refuzojë kërkesën e ish të burgosurve kundër Serbisë duke marrë qëndrim se palët janë vonuar me kërkesën mbrojtje lidhur me shkeljen e të drejtave nga Konventa. Gjykata Evropiane konstatoi se parashtruesit nuk arritën në kohë të nisin procedurat për të mbrojtur të drejtat e tyre, pasi nga ngjarjet kanë kaluar 16 vjet.

Artikulli paraprak8 gjërat që duhet të dini për paranë nëse dëshironi të bëheni milioner
Artikulli vijuesYıldırım: Grusht shtetet do t’i përkasin historisë