Të dhënat në Cloud në shënjestër të SHBA-së

Një studim evropian paralajmëron ndaj Cloud Computing: autoritetet amerikane mund të vëzhgojnë përdoruesit evropianë në kuadër të hetimeve anti-terror.
Përdoruesit modern të internetit i pëlqen liria: ai ka akses kudo dhe në çdo kohë në të dhënat e tij personale apo të firmës. “Cloud Computing” e bën këtë të mundur teknikisht. “Cloud” – reja, është një lloj disku i përhershëm në internet. Të dhënat, që zakonisht janë të ruajtura në mënyrë lokale në kompjuterin e shtëpisë apo firmës, ruhen kështu në rrjetin mbarëbotëror. Se ku ruhen saktësisht të dhënat, pra në cilin vend ndodhet server-i, duket se nuk u intereson edhe aq përdoruesve. Por kjo mund të ndryshojë pas një studimi të kryer me porosi të Parlamentit Evropian. Ekspertët e “Qendrës së Studimeve për Konfliktet” dhe “Qendra Evropiane për Studime Politike” konstantojnë bashkarisht se të dhënat në “cloud” të qytetarëve evropianë në server-at në SHBA nuk janë aspak të mbrojtura nga ndërhyrje të paautorizuara. Konkretisht, autoritetet amerikane në kuadër të hetimeve anti-terror mund të ndërhynin natyrshëm në të dhënat evropiane, ligjërisht kjo është e lejuar.
“Studimi nuk synon aspak të shkaktojë panik”, e komenton rezultatin e studimit, europarlamentari Thomas Albrecht, nga grupi i ekologjistëve. “Është thjesht fakt që ligji për mbrojtjen e të dhënave në SHBA vlen vetëm për qytetarët amerikanë.” Veç kësaj ka edhe ligje të veçanta që kanë si synim vëzhgimin e qytetarëve joamerikanë, thotë Albrecht. “Kjo ndodh edhe përmes konktrollit të qëllimshëm nga autoritetet amerikane, të të dhënave delikate që kanë në dispozicion kompani amerikane si Microsoft, Amazon, Twitter dhe Facebook.”

Kontroll i të dhënave në emër të “Patriot Act” dhe “FISAA”
Bazë për kontrollin e gjerë të të dhënave, janë ligjet e sigurisë për hetimet anti-terror, të miratuara pas 11 shtatorit 2001 në SHBA. Me ligjin “Patriot Act” dhe versionin e ri të “FISAA” (Foreign Intelligence Surveillance Amendment Act), politikanët amerikanë u dhanë kompetenca të gjera autoriteteve të sigurisë.
Thilo Weichert, aktivist për mbrojtjen e të dhënave personale, është marrë gjerësisht që dy vjet më parë me pasojat e këtyre zhvillimeve. I ngarkuari për sigurinë e të dhënave në landin Schleswig-Holstein, citohet aktualisht në gazetat në mbarë Gjermaninë. Ai lufton që Facebook edhe më tej të lejojë sinonimet si emra përdoruesish. Në temën e sigurisë së të dhënave tek firmat amerikane ai arrin në konkluzionin se “krahu i gjatë i ligjit amerikan arrin deri në Evropë.” Firma amerikane si p.sh. Microsoft janë nën trysninë e autoriteteve amerikane të sigurisë. Ato duhet të përcjellin edhe të dhëna që ruhen dhe shpërndahen në server-at evropianë. Këto të dhëna mund të luajnë rol p.sh. në spiunazhin ekonomik.
Por jo vetëm sekretet e kompanive të mëdha evropiane janë kështu në rrezik. Edhe persona të veçantë vihen përmes internetit në shënjestër të hetuesve, mendon Thilo Weichert: “Të dhënat mund të luajnë rol në vendime për dhënien e vizave.” Vlerësimi i të dhënave mund të bëjë që SHBA t’u njoftojnë autoriteteve evropiane të sigurisë persona të dyshuar. “Kjo mund të ketë si pasojë që shërbimet sekrete të drejtojnë vëmendjen ndaj një personi. Ajo që mund të ndodhë me të dhënat nuk mund të llogaritet as me përafërsi”, thotë Weichert.

Ndikimet në dekretin e BE-së për mbrojtjen e të dhënave
Në Parlamentin Evropian këto shqetësime merren shumë seriozisht. Aktualisht deputetët po punojnë për një version të ri të dekretit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Europarlamentari Thomas Albrecht, angazhohet që kompanitë të lejohen të përcjellin të dhënat e qytetarëve të BE-së, vetëm nëse ekziston një marrëveshje për ndihmë juridike. Megjithatë ai është skeptik për zbatimin e këtij dekreti pasi edhe në Evropë ka shumë që përfitojnë nga aktivitetet vëzhguese të SHBA-së: “Shërbimet sekrete evropiane dhe policia janë natyrisht të gëzuar që furnizohen nga SHBA me të dhëna rreth qytetarëve evropianë. Sipas juridiksionit evropian ata vetë nuk kanë të drejtë t’i sigurojnë këto të dhëna.” Miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave është planifikuar më e herëta për vitin 2014. Nëse përdoruesit pra duan të ruajnë të dhënat e tyre në “cloud” është më e udhës t’u drejtohen ofruesve evropianë të këtij shërbimi.

Artikulli paraprakTunizia dy vjet pas arratisë së Ben Alisë
Artikulli vijuesGjendet i vdekur një polic serb në Graçanicë