Të gjithë me Llazarin!

Shkruan: Shasivar Kabashi
 “Na oružje Serbi sokolovi, da svetime Lazar i Kosovo! Samo sloga Srbina spasava!” Këto kanë qenë fjalët e shënuara në një copë bezi të bardhë në formë flamuri nga një prift ortodoks në qytetin e Pejes, natën e Pashkëve të 1903-ës, për të provokuar kështu shqiptarët të cilët po ashtu ishin mbledhur tek Xhamia Pelivan-Mejdan për të diskutuar mbi reformat që ‘Bab Devleti’ kishte ndërmarrë në këto anë. Por të nesërmen e Pashkëve, Zenel Begu i Mahmutbegollëve shqiptarë kishte arritur me kohë para shtëpisë së Ejup Begut, ku parashihej të ngihej ky flamur, duke parandaluar dhe evituar kështu një masakër të mundshme të shqiptarëve mbi serbët lokal sikurse raporton edhe konsulli serb ne Prishtinë, Avramovic. (Langdon T. Healy)
Të ndodhur në procesin e reformave (Islahat) që në njëfarë mënyre qe i detyruar të ndërmerrte shteti Osman në vilajetet e Rumelisë në vitet e para të shek. XX, për shkak të një neni që e obligonte që nga Kongresi i Berlinit (neni 23), shqiptarët, veçanërisht ata të vilajetit të Kosovës, si kurrë më parë ishin opozita më e fuqishme për qeverinë e Stambollit, e për tu komplikuar edhe më shumë ata kishin njeriun e tyre në krye të qeverise, shqiptarin Ferid Pasha të Vlorajve (1903-1908). Te “privilegjuar” me mbajtjen e armëve dhe marrjen pjesë në ushtri e xhandarmëri si të vetmit deri në atë kohë, shqiptarët myslimanë, kundërshtuan fuqishëm platformën për përfshirjen në xhandarmëri edhe të të krishterëve. Zaten shqiptarët e Kosovës si konservator që ishin, që nga Lidhja e Prizenit kishin filluar ta bëjnë lanet (mallkojnë) qeverinë e Stambollit, e burokratët e tij si murtat (tradhëtar i fesë) për shkak të dhënies e tokave malazezeve e serbëve që ata bënin në marreveshjet me Fuqitë Evropiane.
Ishin këto reforma që i mundësuan edhe shtetit Serb, të formuar vonë në atë kohë, që të vepronte lirshëm me aktivitetin e saj konsullor nëpër territorin e Kosovës, duke ushqyer tek sllavofonët mitin e nacionalizmit serb. E për të treguar që sllavofolësit nativ nuk kishin ndjenja nacionalizmi deri në atë kohë, e herë herë duke u shfaqur si bullgar (në atë kohë bullgarët përbënin etninë e dytë të vilajetit), tregon edhe vetë konsulli serb në Prishtinë Teodor Stankoviç në kujtimet e tija: “Kur unë erdha këtu, serbët tanë që jetonin në Prishtinë nuk e shfaqnin përkatësinë e tyre etnike..”. (Stankovic)
Se çfarë arme të fortë për diplomacinë serbe ishte shndërruar miti serb mbi Kosovën na tregon edhe diplomati të shquar serb Cedomilj Mijatovich në librin e tij “The Memoris of a Balkan Diplomatist”. Duke shpërfaqur Kosovën në syrin e një serbi, ndër të tjerash shprehet kështu: “ Kosova, çfarë është? Një fushë e madhe…. Por për neve serbët përveç se një termi gjeografik dhe strategjik do të thotë një psikologji kombëtare, një term që prezanton sintezën historike, që proklamon përpara të gjithë botës se serbët qenë në gjendje që disfatën ushtarake ta shndërrojnë në një fitore morale, të zhvillojnë tragjedinë kombëtare në një lavdi kombëtare..” (Mijatovich)
Duke u qendërzuar gjithçka rreth betejës së Kosovës së 1389-ës, për 500 vjetorin e saj organizimet dhe glorifikimi nuk munguan, duke u përkujtuar me një meshë të zjarrtë protagonistët e betejës së famshme. E falë aktivitetit të diplomacisë serbe nëpër territorin e vilajetit, më 1899 kur edhe ishte 510 vjetori i betejës, serbët do të organizonin një manifestim me rastin e Vidovdanit në Gazimestan, duke përbashkuar kështu serbët lokal përkrah nacionalizmit shpirtëror. Në anën tjetër, tek shqiptarët ishte ky viti ku ata ishin besatuar përsëri rreth një Lidhje te re, por tashmë në Peje, rreth Haxhi Zekës. “Lidhja e Pejës” e cila halë në sy kishte nenin e famshëm të Berlinit (neni 23) dhe reformat në tërësi që parashiheshin, haptas doli edhe kundër pretendimeve të nacionalizmave fqinje e me fokus të veçantë atij serb. Për shkak se e ndjeu rrezik dhe kërcenim manifestimet për flijimin e Llazarit në Gazimestan, Lidhja planifikoi ti kundërpërgjigjet kësaj simbolike me organizimin e një manifestimi gjithë popullor tek Tyrbeja e Sulltan Muratit, duke iu kundërvënë Lazarit me ‘shehidllëkun’ e sulltanit. (Ismet Dermaku)
Shqiptarët që kishin njerëzit e tyre në kryeqytetin perandorak, ishin të preokupuar rreth këtyre ndryshimeve që kishin përfshirë vendin e tyre. Duke u munduar të jepnin kontributin e tyre në rrafshin intelektual ata i gjejmë tek grumbullohen përreth “Shoqërisë së të Shqypurit Shkronja Shqip”. Teksa Shemsedin Samiu i Frashërve vite më parë mirrej me demaskimin e propagandës greke dhe nacionalizmin e saj të përfaqësuar nga “Neologos”-i në Stamboll, Hasan Basri Beu, pinjoll i familjes së famshme të Dukagjinëve (Dukaginzade), njëherit edhe deputeti i Dibrës dhe më vonë pretendent i fronit të Shqipërisë, duke e parë kërcënimin sllav në veri të përqendruar rreth mitit të Kosovës, ai në librin e tij “Shqipëria dhe Çështja Osmane” (Arnavutluk ve Buhran-i Osmani) rrëfenjën historike fillon që nga Beteja e Kosovës, ku ndër të tjera shkruan: “Varri i fitores në fushën e Kosovës, i shehidit të familjes së fisnike (Osmane), Sultan Murat Hanit, është në piadestalin e një “Lapidari garantues” në idenë e mbrojtjes së ekzistencës së Shqipërisë, përpara kërcënimit sllav dhe pushtimeve serbe. Shqiptarët e turqit përballë aleancës së armikut… Sulltanët osmanë që e panë të arsyeshme bashkimin në një trup të vetëm me popullin më të vjetër të gadishullit ballkanik, për ndërtimin e dinastisë së tyre, u bënë bashkëpronar me këtë popull në pushtimet e tyre në këtë pjesë të Evropës…” (Basri Beu)
Megjithatë, tubimin më masiv të shqiptarëve rreth varrit te Sulltanit do të bëhet në qershorin e 1911, kur në Kosovë i’a kishte mësy vetë Sulltan Mehmet Reshati. Në mesin e mbi njëqind mijë shqiptarëve padishahu do të falte namazin e xhumasë vetëm pak metra larg varrit të paraardhësit të tij. Shqiptarët e Kosovës edhe pse dushman të përbetuar të siç i thonin ata “murtatët e Stambollit”, xhonturqve, ata përsëri ishin tubuar ta nderonin të parin e shtetit, i cili ishte sjellë pikërisht me qëllim pajtimi. Sylejman agë Batusha e Shefqet Turgut Pasha ishin bërë bashkë tek varri i personazhit historik. I gjendur edhe vetë në mesin e tyre, Prishtinasi Xhafer Tajar Pasha në kujtimet e tija kështu e përshkruan atë ditë: “Ende qëndron në zemrën time ai namaz xhumaje madhështorë që falem së bashku me mbi 100.000 vetë xhematë në fushën e Kosovës. Shqiptarët duke i tkurrur hallet e tyre në një fjalë të vetme brohorisnin: “Baba, baba..”. Ky popull i cili nuk derdh lot aq kollaj as edhe kur vdes, tani po qanin pa u ndalur të mbledhur rreth Padishahut të tyre..” (Xhafer Tajar Pasha) E siç na tregon edhe një dokument arkivor, aty nuk ishin prezent vetëm myslimanët, por tubimit i ishin bashkuar edhe të krishterët shqiptarë të Kosovës (Başbakanlık Osmanlı Arşivi)
Kohë reformash, mitesh e nacionalizmash! Por duket se nuk ka lëvizura edhe shumë që nga ajo kohë, në përjashtim të personazheve. Dikur Stambolli ai që ndiqte rrugën e modernizimit e evropianizimit dhe bënte plane, reforma, e tkurrte kufij që nuk pranoheshin nga populli, kurse sot në një formë Prishtina! Dikur nacionalizmi serb përfitonte nga negociatat e Fuqive Evropiane me Stambollin, sot nga negociatat me Prishtinën përfiton i njëjtin nacionalizëm. Dikur shqiptarët me njerëzit e saj ne qeverisje, edhe sot me të tijtë. Por duket se vetëm një gjë ka ndryshuar: dikur këta dy popuj ishin të ndarë me heronj, kurse sot ata të gjithë së bashku garojnë se kush më shumë të marrë hise në lapidarin e Llazarit.

Artikulli paraprakTronditje pas serisë së atentateve në aeroportin e Stambollit
Artikulli vijuesPolici turk, pak para sulmit terrorist: Po ec me pallto nëpër këtë vapë, vëlla duhet ta ndjekim!