Të pakënaqur me shërbim shëndetësor?,Ankohuni në tel. 08001777

Ministria e Shëndetësisë në partneritet edhe me organizatat “Konsumatori” dhe Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve, promovoi sot linjën telefonike për ankesat e qytetarëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Kjo linjë, që do të jetë në dispozicion të qytetarëve falas 24 orë gjatë shtatë ditëve të javës, do të jetë në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes së qytetarëve nga keqtrajtimi gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore, si dhe identifikimit të profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore që bëjnë shkelje ligjore gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Ministri Agani tha se krijimi dhe aktivizimi i kësaj linje telefonike paraqet një moment të rëndësishëm për qytetarët, të cilët do të kenë mundësi që t’i adresojnë ankesat e tyre drejtpërdrejt nëse dikush në institucione shëndetësore bën keqtrajtimin e tyre apo nuk e ofron shërbimin që ka mundësi të ofrohet.

Selatin Kaçaniku, nga Konsumtori, tha se me hapjen e kësaj linje po fillon komunikimi i drejtpërdrejt midis qytetarëve-konsumatorëve të shërbimeve shëndetësore me ofruesit e shërbimeve dhe, konsumatorit të shërbimeve po u jepet e drejta të matin performancën e institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë me rastin e marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Besim Kodra, Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve, tha se ky hap bashkëpunimi ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe shoqata do të jetë pjesë aktive e funksionimit të kësaj linje.

Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, Gani Shabani falënderoi operatorët e telefonisë mobile “Vala” dhe IPKO” që kanë mundësuar aktivizimin e kësaj linje falas.

Qytetarët të cilët kanë vërejtje në shërbimet shëndetësore apo profesionistët shëndetësorë do të mund të telefonojnë pa pagesë në numrin e telefonit: 08001777, apo edhe të shkruajnë përmes e-mail-it: [email protected].

Ankesat do të analizohen për procedim të mëtejmë dhe informatat kthyese për palët që kanë parashtruar ankesa do të kthehen brenda 72 orëve prej parashtrimit të tyre./koha

Artikulli paraprakKamatat e larta pengojnë aktivitetet biznesore
Artikulli vijuesHamas: Negociatat me Izraelin të dështuara, ja arsyet