Të rejat mjekësore të vitit 2013

Alzajmeri është një ndër sëmundjet më të shpeshta të pashërueshme, por gjatë vitit 2013 shkencëtarët kanë treguar se jeta e pacientëve mund të përmirësohet. Ndër të rejat mjekësore të vitit 2013, spikasin teknologji të reja që ndihmojnë mjekët gjatë operimit të pacientëve me tumore ose që lehtësojnë problemet shëndetësore të personave me aftësi të kufizuara.

Imagjinoni sikur kockat të mund të ngjiteshin me zam si të ishin copa letre. Mund të mos jetë e pamundur pas kërkimeve të bëra nga disa mjekë në Suedi të cilët kanë dashur të gjejnë mënyra për të përmirësuar operacionet kirurgjike, veçanërisht për pacientët e moshuar, për të cilët shërimi i kockave të thyera është i vështirë.
Në fillim të vitit, shkencëtarë të Institutit Mbretëror të Teknologjisë në Stokholm njoftuan se kishin zhvilluar një ngjitës, i cili luan rolin e allçisë për thyerjet e komplikuara të kockave. Profesor Hans Von Holst shpjegon:

“Kur të përdorim ngjitësin, nuk do të kemi nevojë për anestezi të përgjithshme për pacientët. Në vend të saj do të mund të përdorim anestezi lokale. Kjo do të thotë se operacioni do të jetë më i shkurtër dhe me më pak komplikime për të moshuarit.”

Hulumtuesit besojnë se kështu do të mund të eliminojë nevojën për pllaka metalike dhe vida, duke bërë që operacionet të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lehta. Megjithatë, mbeten për t’u dhënë përgjigje disa çështjeve sigurie dhe shkencëtarët janë ende duke analizuar rezultatet e raporteve të toksikologjisë, para se të nisin eksperimentet me kafshët.

Kur është fjala për shëndetin ne mund të bëjmë shumë për të ndihmuar veten dhe ushtrimet fizike janë diçka frytdhënëse për të cilën mjekët në të gjithë botën bien dakord.

Në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, disa vetë mendojnë se mënyra më e mirë për të liruar muskujt dhe trupin është të lidhësh veten me pëlhura të varura. Kjo metodë yoga anti-gravitetit është bërë një mani shëndetësore në mbarë botën.

Duke u lëkundur në ajër, studentët kombinojnë lëvizje rutinë të marra nga yoga tradicionale, lëvizje kërcimesh, qëndrime ekuilibri (Pilate) dhe gjimnastikë. Ata thonë se kjo i ndihmon të rrisin fleksibilitetin.

Ata shprehen se ndihen më të shëndetshëm dhe se përjetojnë më pak dhimbje koke, ftohje dhe dhimbje të shpinës, megjithatë mjekët në Indonezi paralajmërojnë se nuk kjo metodë ushtrimesh nuk duhet të konsiderohet kurë për sëmundjet.

Në janar Kathy Sanford u bë pjesë e një grupi të vogël pacientësh me Alzheimer që provuan një terapi klinike për të luftuar sëmundjen. Kjo terapi përfshin përdorimin e një stimuluesi kardiak për të dërguar goditje të buta në zonën e prekur të trurit.

Shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Ohajos në Shtetet e Bashkuara shpresojnë se stimulimi elektrik konstant i qarqeve të trurit përgjegjëse për kujtesën dhe të menduarit mund të bëjë që ato rrjete nervore të jenë aktive më gjatë, duke shmangur dëmtimin nga alcajmeri. Kreu i studimit Dr. Ali Rezai konfirmon:

“Shpresa jonë është të mund të rrisim aktivitetin e trurit dhe anashkalojmë këtë bllokim të tij.”

Hulumtuesit shpresojnë që viti 2014 të sjellë një shtim të madh të burimeve për kërkimet shkencore në gjetjen e një kure.

Për fëmijët me autizëm, të kërkuarit gjëra nga më themeloret mund të jetë një sfidë e pakapërcyeshme. Për këtë arsye, në Holandë zhvillues të teknologjisë krijuan “Assistiveware”, një program për iPad i cili ofron nxitje verbale për këta fëmijë dhe i ndihmon ata të përdorin fjalët bazë.

Krijuesti thonë se app-i mund të sjellë ndryshim të konsiderueshëm kundër tërheqjes sociale dhe mungesës së komunikimit.

Një numër programesh po zhvillohen gjithashtu për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara të mësuari. “Proloque 2 Go” është një prej tyre dhe ai përban 40 mijë simbole të regjistruara me zëra fëmijësh dhe të rriturish. Duke prekur një simbol përdoruesi aktivizon një përgjigje zanore që përshkruan objektin dhe jep folje dhe emra për të formuar fjali.

Një tjetër kompani holandeze ka zhvilluar “TagTiles”, një lojë interaktive. E krijuar nga kompania Serious Toys (Lodra Serioze), programi është ndërveprues si një kompjuter, por pa patur nevojë për mouse, ekran, apo tastierë. Sipas Shoqatës holandeze të Autizmit, në Holandë ka rreth 150 mijë persona të diagnostikuar me një formë të sëmundjes.

Është mjeti më themelor në kirurgji, por kjo nuk është një thikë e zakonshme kirurgjike. Shkencëtarët e Kolegjit Imperial në Londër e projektuan atë për të identifikuar qelizat e kancerit në mënyrë që kirurgët në të ardhmen të mund të presin me më tepër përpiktmëri mes organeve në sallën e operacionit.

Ajo quhet ‘iKnife’ dhe tashmë është përdorur për heqje të gjirit dhe tumor të zorrëve. Ajo që ndihmon mjekët për të dalluar qelizat kancerogjene është tymi që del nga prerja e indeve. Ata zakonisht përdorin thika elektro-kirurgjikale të cilat bëjnë që indet të avullojnë ndërsa ata presin. Ky proces prodhon avull me një erë të fortë karakteristike dhe kjo është ajo që ndihmon mjekët të identifikojnë indet kanceroze. Një fakt i rëndësishëm është aftësia për dërguar informacionet në kompjuter në kohë reale gjatë operacionit.

Identifikimi i saktë i përfundimit të tumorit, pra i indeve që duhen hequr, është shumë i rëndësishëm për operacionet në tru për shembull, për shkak se mjekët shpesh heqin pak më shumë inde, nëse shqetësohen se disa qeliza kanceroze mund të mbeten dhe pacientët do të kishin nevojë për më shumë ndërhyre kirurgjike ose kimioterapi.

Vaksinat historikisht kanë qenë arma jonë më e mirë kundër sëmundjeve infektive dhe në pranverë mjekët spanjollë njoftuan se kishin krijuar një vaksinë e cila përkohësisht ngadalëson rritjen e virusit HIV.

Spitali Klinik i Barcelonës e ka zhvilluar vaksinën gjatë pesë viteve të fundit.
Vaksina është terapeutike, pra ka për qëllim trajtimin dhe jo parandalimin e sëmundjes, por terapia nuk është e përhershme çka do të thotë se shumicës së pacientëve në eksperiment u është dashur të kthehen tek ilaçet e tyre antiretrovirale. Megjithatë mjekët besojnë se arritën të vërtetonin në parim se një vaksinë mund të funksionojë./voa

Artikulli paraprakHebrenjtë në Shtetet e Bashkuara
Artikulli vijuesPrincesha spanjolle akuzohet për mashtrim