Të rinjtë kosovarë – mes ikjes në perëndim dhe shpresës se “do të bëhet mirë”

Dëshira e të rinjve kosovarë që të studiojnë jashtë vendit duket të jetë mjaft e madhe. Shumë nga ta thonë se studimet jashtë Kosovës janë një mundësi e mirë për të përmirësuar njohuritë e tyre, si dhe për të arritur një karrierë profesionale.

Kastriot Lila studion shkencat politike në Prishtinë, por dëshira e tij është të studiojë jashtë Kosovës.

“Do të doja të studioja jashtë Kosovës, pasi që ke mundësi të arrish më shumë atë që synon. Në Kosovë, nuk është që nuk do të mund të gjej punë, por nuk do të më ofronte atë që unë synoj”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kastrioti.

Naseri, 23 vjeç, është optimist se në Kosovë do të bëhet më mirë.

“Do të rri në Kosovë. Ky vend nuk ofron mundësi të mira, por mendoj se kjo është momentale dhe gjërat do të rregullohen. Unë studioj menaxhimin në Universitetin e Prishtinës”, thotë ai.

Por, Besa Hoxha, studente e Fakultetit të Mjekësisë, mendon se Kosova ka një treg të ngushtë të punës, ndryshe nga shtetet e tjera evropiane.

“Mendoj se mundësitë më të mira janë të studiosh jashtë. Mendoj se tregu i punës është më i gjerë jashtë vendit, për dallim nga Kosova. Edhe studimet të ofrojnë dije akademike më të thellë”, shprehet Besa.

Arbër Pula studion në Greqi, por thotë se pas përfundimit të studimeve do të kthehet në Kosovë.

“Kam vendosur të studioj jashtë Kosovës sepse cilësia e edukimit është më e mirë. Studioj shkenca kompjuterike në Greqi. Por, gjithsesi do të kthehem në Kosovë pas studimeve. Mendoj se do të gjej punë dhe do ta dëshmoj veten”, thotë Arbëri.

Ekspertë të arsimit kanë ngritur shpesh shqetësimet për cilësinë e arsimit në Kosovë.

Sipas tyre, mësimet bëhen tërësisht në mënyrë teorike dhe cilësia nuk garanton të ardhme të sigurt për qytetarët.

Mentor Krasniqi po ashtu studion jashtë Kosovës.

“Unë studioj në Tiranë. Mendoj se mësimi është më kualitativ në Tiranë sesa në Prishtinë. Studioj shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Si student përballem me vështirësinë e punësimit, pasi që nuk kemi përvojë dhe mundësitë i kemi të limituara”, thotë Mentori.

Monika Veseli do të donte të studionte jashtë Kosovës, por thotë se nuk ka mundësi.

“Kisha pasur shumë dëshirë të studioj jashtë vendit, për arsye se ke më shumë mundësi, jo vetëm për punësim, por edhe do të mësoje më shumë, nëse e krahasojmë me Universitetin e Prishtinës, ku është numër i madh i studentëve dhe ligjëratat janë shumë teorike dhe asgjë praktike. Do të ishte mirë të studioja jashtë vendit, por jo të gjithë i kemi ato mundësi”, shprehet Monika.

Në pozitë të ngjashme është edhe Artan Prenaj.

“Në Kosovë, kushtet për të studiuar mendoj se janë shumë larg vendeve evropiane, por shpresoj që në të ardhmen edhe këtu të ketë përmirësime”, thotë ai.

Artikulli paraprakPanik në avionin e linjës Tiranë-Bergamo, një person tenton të hapë derën
Artikulli vijuesShokon deputeti: Sulmet në Bruksel, nga shërbimet sekrete belge