Telekomi fsheh pagesat multi-milionëshe me kompaninë “Interadria”

0
186

Nga 1 qershori i vitit 2017 deri më 14 maj të vitit 2018, 1,7 milion euro janë bartur nga llogaria e Telekomit të Kosovës në atë të kompanisë “Interadria L.L.C”

E, 9.2 milionë të tjera u bartën për pak më shumë se 10 vjet në kompaninë simotër të saj N.T “Interadria”, e cila mori kontrata nga atëherë kompania me fitimprurëse në vend nga viti 2006-2017, raporton KTV.

Derisa për 6 vjet kjo kompani “ kreu punë” për Telekomin në vlerë prej 1.3 milion eurosh, të hyrat e tyre nga Telekomi shënuan rekord gjatë viteve 2014-2105, kur atyre iu paguan faturat në shumë prej 5.8 milionë eurosh. E, 1.5 milion të tjera N.T “Interadria” iu paguan për vitet 2015-2017.

Në total, këto kompani nga ndërmarrja publike dikur PTK, tash Telekomi, kanë marrë 10 milionë e 954 mijë e 307 euro.

“Interadria” edhe në dhjetorin e 2018-s mori nga Telekomi 219 mijë e 480 euro në katër pagesa të ndryshme.

Që nga 8 tetori i vitit të kaluar, e deri më sot, “Kohavisioni” në vazhdimësi ka kërkuar nga Telekomi i Kosovës që të marrë përgjigje se për çfarë shërbimesh janë paguar këto miliona dhe sa është borxhi aktual që ata u kanë këtyre kompanive, por vazhdimisht Telekomi i ka injoruar kërkesat e KTV-së.

Por, bazuar në të dhënat e ARBK-së, N.T “Interadria” edhe “Interadria LL.C” janë në pronësi të Gazmend e Shkumbin Kajtazit.

Aty thuhet se kompania e parë u konstituua në 2007 dhe aktiviteti i saj primar ishte instalimi elektrik, ai sekondar punimet hidraulike dhe instalimi i ngrohjes, e te të tjerat hyjnë edhe ndërtimi i autostradave e publikimi i softverëve.

Ndërkaq, “Interadria L.L.C” ka aplikuar për regjistrim në vitin 2012, ndërsa është konstituuar në 2014. Aktivitet primar thuhet se e ka telekomunikimin kabllor e atë sekondar ndërtimin e objekteve banesore dhe autostradave.

Ndërkaq, në uebin e “Interadrias”, që duket është i përbashkët për të dyja kompanitë thuhet se Kompania është themeluar më 1989, dhe se merret me zhvillimin e softuerve, telekomunikimit dhe arsimimit.

Që nga ajo kohë “Interadria” pretendohet se është rritur në hapa të mëdhenj dhe ka një kuptueshmëri të thellë të rajonit dhe u ka shërbyer shumë agjencive qeveritare dhe kompanive të sektorit privat.

Pas një javë pritjeje, “Interadria” ka kthyer përgjigje për “Kohavisionin”, ku ka sqaruar veprimtarinë e përgjithshme të kompanisë, por pa hyrë në kontratat specifike me Telekomin, përveç faktit që Telekomi iu detyrohet ende.

“Telekomi, sipas borxheve të dy viteve të fundit, në ndihmesë të mekanizmave ligjorë, është duke respektuar marrëveshjen për riprogramimin e obligimeve. Shuma e parave që ka obligim TK-ja ndaj neve, ose shuma që është paguar, është çështje interne e palëve kontraktuese dhe mekanizmave ligjorë, për të cilën tashmë jemi pajtuar”

Gazmend Kajtazi është familjar i kreut të PDK-së, njëherësh kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai është i biri i Fazli Kajtazit, vëllait të folkloristit Halil Kajtazi.

Më 1 qershor të vitit të kaluar, Veseli kishte shkruar se ndihet krenar me veprën e Halil Kajtazit, që ai e quante dajë, në ditën kur ai kishte vdekur. .

“Sot u nda nga ne, daja im, Halil Kajtazi. Shkrimtar, gazetar e studiues i folklorit, daja Halil gjithë jetën ia kushtoi kulturës dhe ngritjes shpirtërore të vendit tonë. Nuk do t’i harroj kurrë bisedat e gjata me të. Rrezatonte urtësi e kulturë në çdo gjë që e bënte e thoshte. I paharruar do të jetë kujtimi dhe vepra që i la trashëgimi farefisit tonë dhe gjithë Kosovës. Përgjithmonë”, kishte shkruar Veseli në Facebook. /koha.net/