Televizioni dhe ndikimi i tij

Televizioni si media përafërsisht ka për detyrë të formojë vetëdijen e qytetarëve. E dimë se me sa lehtësi televizioni realizon marrjen e informatave. Mirëpo, ata që kanë antena satelitore janë dëshmitarë të çmendurisë së shpirtit dhe mendjes njerëzore.
Sepse, në fillim, njeriu shikon televizionin sepse “nuk ka se çka të bëjë”, ndërsa, më vonë ai nuk i kryen punët që duhet t’i kryejë sepse e shikon televizionin.

Përmes televizionit njeriu harxhon kohën edhe ashtu mjaft të kufizuar për investim në jetën familjare. Sot, në masë të madhe koha “rrudhet” nga televizioni dhe, fatkeqësisht, më me kënaqësi shikohen problemet familjare të botës kinematografike, se sa vetë problemet dhe telashet e familje.

Ndikimi i televizionit te fëmijët

Televizioni mund të ndikojë mirë tek fëmijët atëherë kur prindërit bëjnë zgjedhjen e programit të duhur për shikim.

Megjithatë, shumë prindër e shohin televizionin si ndikues të dëmshëm për zhvillimin dhe edukimin normal të rinisë, e veçanërisht të fëmijëve. Televizioni, sipas tyre ndikon në humbjen e aftësisë së përqëndrimit tek fëmijët, ndikon në krijimin e pasivitetit të përgjithshëm, egoizmit, në shkëputjen nga realiteti dhe vetvetja e deri tek lindja e instikteve kriminale.

Sipas psikologëve gjermanë, 20.000 deri 30.000 fëmijë qëndrojnë deri në orën dy të mesnatës para televizionit. Një 18 -vjeçar, sot nëpërmes mediave ka parë me sytë e tij mbi 200.000 akte dhune, dhe ky fëmijë ka parë mbi 40.000 herë sekuenca ose foto me njerëz të gjymtuar, të dhunuar e të masakruar.

Disa këshilla për prindërit:
Edhe pse televizioni mund të ketë një ndikim përkeqësues, mendohet se kjo media nuk duhet të përjashtohet tërësisht për fëmijët dhe të rinjtë. Me rëndësi është kontrollimi i shikimit të tij nga prindërit të cilët do të caktojnë emisionet që kanë rol pozitiv për informacion, argëtim e edukim tek fëmijët e tyre. Kjo sepse ka programe televizive që përmbajnë edhe dokumentare të përziera rreth historisë, shkencës dhe natyrës sikur edhe drama të shkëlqyera klasike.

1. Konsumimi i programit televiziv duhet të bëhet në përputhje me moshën e fëmijës. Programi televiziv i cili është i përshtatur për moshën e fëmijës mund të ndikojë pozitivisht, duke e përshpejtuar procesin e të mësuarit te fëmijët. Programi i tillë kontribuon për zhvillimin e imagjinatës te fëmijët, i stimulon fëmijët të mendojnë dhe me ndihmën e televizionit fëmijët mund të mësojnë të lexojnë, mësojnë numra, forma, ngjyra, etj.
2. Fëmijët e vegjël nuk duhet lejuar të shikojnë televizion vetëm. Ata kanë nevojë për “mbrojtjen e afërt” dhe sqarimin e emisionit nga një i rritur.

3.Sipas disa statistikave në SHBA fëmijët nga mosha prej 2-12 vjet mesatarisht shohin televizion rreth 25 orë në javë. Situata është e ngjashme edhe në vendin tonë.
Ndërsa, sipas Akademisë Amerikane për Pediatri të shikuarit televizion për fëmijët duhet të kufizohet në 1-2 orë në ditë.

Disa nga efektet negative të televizionit:

1. Fëmijët e vegjël nuk janë të aftë ta dallojnë fantazmën nga realiteti dhe televizioni u mundëson të largohen dhe të ikin nga bota reale.

2. Në programet televizive shpesh është prezente dhuna dhe armët. Fëmijët, sidomos djemtë të cilët i adhurojnë programet e tilla mund të përpiqen t’i emitojnë aksionet agresive, bëhen më pak të ndjeshëm për dhembjen e të tjerëve ndërsa te disa fëmijë shfaqet edhe “frika” (ankthi).

3. Shpesh promovohen norma morale të cilat dallohen nga bindjet tona personale

4. Në qoftë se me televizionin harxhohet tepër kohë, fëmija nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për aktivitetet e tjera që e stimulojnë zhvillimin dhe kreativitetin.

5. Edhe mbipesha mund të jetë pasojë e shikimit të tepruar të televizonit.

Prindër, gjatë drekës ose derisa punoni diçka tjetër, fikeni televizorin! Bëhuni model sipas të cilit do të drejtohet fëmija juaj! Ndoshta duhet së pari ju vetë t’i rregulloni shprehitë tuaja të të shikuarit televizion!

Përgatiti: Fexhrie Kaçiu/pertymoter/kohaislame

Artikulli paraprakKrijojnë energji me pedale, ulin dënimin e burgut
Artikulli vijuesPutini shkarkon disa zyrtarë të lartë