Tenderi ‘10 Centësh’ i Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës ka aprovuar një tender të dyshimtë me mospërputhjeve të kostove me realitetin dhe çmime të kundërligjshme.

Kompania fituese e një tenderi të Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e një segmenti rrugor të rajonit të Prizrenit, ka deklaruar çmime tepër të ulëta për njësi për një sërë mallrash dhe shërbimesh.

Kompania fituese “Drini Company” ka vendosur çmime të ulëta deri në 10 cent për njësi, jo vetëm për mallra, por të paktën në një rast, duke llogaritur me të njëjtën vlerë edhe orën e punës për punëtor.

Duke qenë se këto çmime jorealiste janë vendosur për ato kategori mallrash dhe shërbimesh, të cilat mund të rezultojnë si nevoja për raste të veçanta, ngrihen dyshime se disa prej çmimeve janë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurime Publike.

Ndërsa disa kosto të tjera, si çmimet për njësi të përcaktuara për pagat e punëtorëve për ndërhyrje të veçanta, janë në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi që përcakton pagën minimale në Kosovë.

Këto parregullsi nuk e kanë penguar ministrinë që ta miratojë tenderin, ndërsa ajo ia vë fajin ‘ligjit të vjetër’, pavarësisht se legjislacioni që rregullonte prokurimet publike në kohën kur është dhënë tenderi bie ndesh me disa nga parregullsitë që Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar.

Për kontratën 3 vjeçare në vlerë 9 milion euro për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale e lidhur në maj të vitit 2014, e vlefshme deri në maj të vitit 2017, Ministria e Infrastrukturës shpërbleu 14 kompani duke ndarë kontratën në regjione.

Rrugët kombëtare kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme për shkak të përdorimit intensiv të tyre përgjatë gjithë vitit | Foto: KALLXO.com

Si më e veçantë dhe specifike është kontrata e regjionit të Prizrenit e ndarë në dy lote apo pjesë Prizreni 1 dhe Prizreni 2, në të cilin kishin konkurruar vetëm dy kompani, dhe që të dyja kishin fituar.

Te Prizreni 1 aty ku tenderin e fitoi kompania “Famis Co”, kompania tjetër “Drini Company” u shpall i papërgjegjshëm, dhe e kundërta te Prizreni 2 tenderin e fitoi “Drini Company” përderisa “Famis Co” u shpall i papërgjegjshëm.

Asnjëra prej dy kompanive, të vetmet konkurrente në tender, nuk ishte ankuar në OSHP pavarësisht dallimit të madh në vlerat e kontratave përkatëse.

Kompania “Famis Co” do t’i mirëmbajë 150 kilometra rrugë të një pjese të Prizrenit për sezonin dimëror dhe veror me 739 mijë euro, duke mposhtur si të papërgjegjshme kompaninë “ Drini Company” me ofertën e saj prej 105 mijë euro, apo prej 86% më të lirë.

Ndërsa “Drini Company” do t’i mirëmbajë 101 kilometra rrugë të pjesës tjetër të Prizrenit me 512 mijë euro, dhe me ofertën e tij fitoi mbi kompaninë “Famis Co”, e cila për këtë pjesë kishte ofertuar me 3.7 milion euro, ofertë 86% më e shtrenjtë se sa vlera fituese.

Dy kompanitë ishin të vetmit konkurrentë pjesëmarrës në tender, dhe asnjëra nuk ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për tjetrën pavarësisht dallimit të madh në vlerat e kontratave.

Krahas dallimit të dukshëm mes vlerave të përgjithshme, në dosjen e tenderit vërehet diferencë e madhe e çmimeve për një sërë mallrash e shërbimesh në mes dy kompanive.

Vetëm për 10 cent

Artikujt që përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme apo të veçanta janë paraqitur nga “Drini Company” me çmime për njësi nga 50 cent apo aq të lira sa 10 cent [shih foton në krye të artikullit], siç janë gypat e betonit ku 5 lloje të gypave do t’i vendosë me 50 cent metrin katror, por kompania konkurrente “Famis Co”, të njëjtët gypa nuk i vendos pa 123 euro.

Kapakun për mbulimin e pusetave “Drini Company” nëse nevojitet e vendos me 10 cent, një çmim tepër i ulët që nuk ekziston në treg, duke qenë se çmimi i një kapaku të tillë rezulton nga 120 deri në 140 euro.

Për 7 pajisje kamioneta, të cilat “Drini Company” duhet t’i përdorë si mjet pune për mirëmbajtje të rrugëve çmimi është vetëm 70 cent, sepse për secilën orë të kamionit kosto është 10 cent.

Gjithashtu, në dosjen e tenderit të “Drini Company”, ora e punës së një punëtori kushton vetëm 10 cent.

Kjo do të thotë se për 40 orë pune në javë të përcaktuara sipas ligjit të punës, një punëtor në “Drini Company” merr pagë javore vetëm 4 euro, apo paguhet 17 euro në muaj.

Ky nivel page është në shkelje të hapur me ligjet e Kosovës, ku paga minimale është përcaktuar 130 deri në 170 euro në muaj, ose përkatësisht sa shtatëfishi dhe dhjetëfishi i pagës që rezulton nga çmimi njësi i vendosur nga “Drini Company”.

Në vitin 2011, qeveria e Kosovës miratoi vendimin 0133 për pagën minimale, e cila u përcaktua 130 euro në muaj nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro në muaj mbi këtë moshë.

Por “Drini Company” nuk ofroi çmime po kaq të lira për produktet dhe shërbimet që duhet t’i përdorë vazhdimisht. Te asfaltimi i dëmtimeve dhe riparimi i gropave paraqiti çmime nga 10 deri në 14 euro për metrin katror, të cilat përkojnë me çmimet e tregut.

Fatmir Gashi nga kompania “Drini Company” tha për Gazetën JNK se “kushtet kontraktuale janë duke u plotësuar sipas kërkesave”.

“Qëndrojmë mbrapa çmimeve të kontratës pa kurrfarë problemi, vazhdimisht kemi inspektim nga Ministria e Infrastrukturës, deri më tani nuk kemi pasur asnjë vërejtje”, tha Gashi.

Lidhur me zbatimin e kontratës nuk ka vërejtje as Ministria e Infrastrukturës, e cila tha për gJNK se menaxheri i kontratës kryen inspektime të rregullta ditore.

Ligji për Prokurim Publik detyron autoritetin kontraktues të kërkojë arsye të forta për çmimet e paraqitura nga kompanitë kur ato janë jo-normalisht të ulëta.

Këto çmime simbolike për produkte që përdoren vetëm në rast nevoje, ngrenë dyshime për shkelje të ligjit të prokurimit me çmime jo-normalisht të ulëta, pa ofruar dëshmi se mund t’i kryejë me sukses punët sipas çmimit të ofruar.

Sipas nenit 61 i Ligjit për Prokurim Publik, krahas çmimeve jo-normalisht të ulëta, autoriteti kontraktues duhet medoemos të kërkojë dhe sigurojë arsye të forta për çmimet e paraqitura nga kompanitë.

Ministria e Infrastrukturës për gazetën JNK theksoi se për tenderin në fjalë nuk ka kërkuar sqarime në lidhje me çmimet për njësi të aspekteve të tenderit.

Pos kësaj, ministria fajëson ligjin e vjetër të prokurimit publik për këto mospërputhje të çmimeve të deklaruara me çmimet e tregut, dhe pretendon se propozimet e reja në ligjin e ri i cili hyri në fuqi në Janar të vitit 2016 ofrojnë zgjidhje për këtë fenomen.

“Nuk e di për çmimet e kompanive tjera, ne gjithmonë konkurrojmë me çmimet reale të tregut ndoshta kjo është edhe arsye pse dalim më të shtrenjtë se kompanitë tjera”

“Me propozimet e reja ligjore dhe versionin e konsoliduar të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, ofrohet një zgjidhje për përcaktimin e çmimit jo normalisht të ulët”, thuhet në përgjigjen email për gJNK.

Bekim Bytyqi nga “Famis Co” tha për gJNk se çmimet që ata përdorin janë në përputhje me çmimet e tregut, por nuk komentoi mbi çmimet e konkurrencës

“Nuk e di për çmimet e kompanive tjera, ne gjithmonë konkurrojmë me çmimet reale të tregut ndoshta kjo është edhe arsye pse dalim më të shtrenjtë se kompanitë tjera konkurruese, as nuk e di si i mirëmban kompania tjetër rrugët e Prizrenit, por e di që kushteve kontraktuale duhet t’i përmbahemi të gjithë”, tha Bytyqi.

“Nuk kam asgjë personale me OSHP-në, i respektojmë vendimet e tyre, ne jemi kompani holding ku punojmë krejt familja, përveç mirëmbajtjeve të rrugëve ne ndërtojmë edhe banesa kolektive, neve na intereson biznesi”, theksoi ai.

Shmangen përplasjet

Në vitin 2012, kur Ministria e Infrastrukturës kishte pasur vetëm një lot pjesë për regjionin e Prizrenit për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale, kishte shpallur fitues “Famis CO”.

Kompania konkurrente “Drini Company” ishte ankuar në OSHP për gabim në llogaritje, dhe pas rivlerësimit, ministria ia kishte dhënë tenderin kësaj kompanie duke qenë se oferta e saj rezultonte rreth 300 mijë euro më e lirë.

Kësaj radhe, nuk pati ankesa duke qenë se krahas shpërblimit me tender të “Famis Co”, Ministria e Infrastrukturës shpërbleu me tender të vetmen kompani konkurrente të saj “Drini Company, për të shmangur ankesat e mundshme, sipas kritikëve të kësaj zgjidhjeje.

“Tani ndarja e Prizrenit në dy regjione duhet të jetë rregullim perfekt për ndarjen e interesit nga këto dy kompani”, thuhet në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Ministria e Infrastrukturës ka pasur edhe më parë probleme me OSHP-në për shkak të kompanisë “Famis Co”, të cilën e kishte shpërblyer me tender për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të autostradës Ibrahim Rugova në vitin 2015, por OSHP-ja e ksihte dërguar tenderin në rivlerësim.

Tenderin e fitoi kompani “Arbotec” e cila ishte 215 mijë euro më e lirë se oferta që u shpall fillimisht fituese.

Kompania “Famis Co” e futi në telashe Ministrinë e Infrastrukturës edhe në vitin 2012, kur menaxherit të prokurimit të kësaj ministrie, Bekim Gojanit, iu mor licenca e prokurimit, kurse vetë ministria u dënua me 10 mijë euro gjobë.

Kjo ndodhi kur ministria kishte propozuar t’ia japë “Famis Co” tenderin për Sanimin e Rrugës Regjionale R-105 Klinë-Brojë në vlerë prej 2.6 milion euro.

 

Artikulli paraprakMbyllet padia ndaj 8 kryeministrave shqiptarë, ja argumentimi i Gjykatës
Artikulli vijuesKur të lexoni këto këshilla do filloni menjëherë vrapin