Mbyllet padia ndaj 8 kryeministrave shqiptarë, ja argumentimi i Gjykatës

Pas pretendimit të një hetimi të “shpërdorimit të detyrës” ndaj tetë kryeministrave shqiptarë, përfshirë edhe Edi Ramën, tashmë Gjykata e Lartë ka rrëzuar në formë të prerë pretendimin e një qytetari nga Durrësi.

Gjykata e Lartë ka rrëzuar përfundimisht pretendimin e një qytetari nga Durrësi, për ndjekje penale ndaj tetë kryeministrave që kanë kryesuar qeveritë shqiptare pas vitit 1990.

Në kallëzimin e tij, shtetasi Nikoll Prenga pretendonte se krerët e qeverisë ndër vite duhet të hetoheshin për “shpërdorim të detyrës”.

Sipas tij, veprimet dhe mosveprimet e kryeqeveritarëve kanë qenë shkak i shkatërrimit të pasurive kombëtare dhe tragjedive materiale-jetësore.

Përmes një vendimi të shpallur më 22 shkurt 2016, një kolegj penal i Gjykatës së Lartë nuk pranoi ankimin e kallëzuesit Nikoll Prenga.

Ai i kërkoi gjykatës të shfuqizojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të datës 4 nëntor 2015, për të mos filluar procedim penal ndaj nëntë kryeministrave të kallëzuar.

Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, kolegji penal i kryesuar nga gjyqtari Admir Thanza shfaq arsyet pse nuk u lejua hetimi i kryeministrave.

Pasi ka administruar provat e paraqitura në gjykim, thuhej në vendim, kolegji penal ka arritur në përfundimin se ankimi i paraqitur nga kallëzuesi Nikoll Prenga është i pambështetur në ligj dhe si i tillë nuk duhet të pranohet.

“Për sa i përket kallëzimit për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kolegji penal i Gjykatës së Lartë vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga organi i akuzës për këtë vepër, për faktin se kallëzimi penal përmban referime të përgjithshme dhe jo fakte konkrete ndaj subjekteve të renditur si të kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga”, arsyetonte Gjykata.

Artikulli paraprakObama nën akuzë
Artikulli vijuesTenderi ‘10 Centësh’ i Infrastrukturës