Pas tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETÖ, të paktën 103 gjeneralë dhe admiralë janë arrestuar në të gjithë Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë që tentativa për grusht shteti nga ana e FETÖ-s natën e 15 korrikut u pengua, si pasojë e hetimeve të hapura në të gjithë vendin një numër i madh ushtarakësh përfshirë këtu edhe gjeneralë janë arrestuar nga forcat e sigurisë.
Një pjesë e të arrestuarve momentalisht janë duke u marrë në pyetje, ndërsa 27 gjeneralë duke përfshirë edhe ish gjeneralin Akın Öztürk sipas informacioneve të marra në rrugë zyrtare kanë dalë para trupit gjykues.
Nga ana tjetër puna e forcave të sigurisë për kapjen e personave të tjerë ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër arreste ende është duke vazhduar.
Ndër 103 gjeneralët dhe admiralët e arrestuar ka edhe emra të njohur që dyshohet se janë truri i kësaj tentative për grusht shteti.
Komandant i Armatës së dytë Gjeneral Adem Huduti, ish-Gjenerali i Forcave Ajrore, Gjeneral Akın Öztürk, Komandant i Armatës së 3-të, Gjeneral Lejtnant Erdal Öztürk, Komandant i Bazës Ajrore të katërt, Gjeneral Brigade Hakan Evrim, janë vetëm disa nga 103 gjeneralët e arrestuar nga policia turke.