Abu Bakker Qassim ishte i brengosur kur Shqipëria i dha atij dhe katër ujgurëve myslimanë azil politik. Kjo ndodhi më 2006 dhe që të gjithë ata i kishin kaluar nga katër vjet e gjysmë si të burgosur në Guantanamo Bay.
“Krejt çka kam ditur për Shqipërinë është se ka qenë shtet komunist”, thotë Qassimi për “Public Radio International”. “I thosha vetes: Shqipëria, një shtet komunist… ne veç sa ikëm nga një shtet i tillë”.
Qassimi thotë të jetë larguar nga Kina më 2001 për t’i shpëtuar persekutimit të ujgurëve, grup minoritar mysliman që flasin turqisht. Qassimi ishte në mesin e 22 ujgurëve të kapur afër kufirit Afganistan-Pakistan më 2001, pak kohë pasi SHBA-ja nisi luftën në Afganistan.
Shumë fakte në këtë rast mbesin të errëta, përfshirë edhe atë se ku janë kapur këta saktësisht. Apo, pse qëndruan në kampin në Tora Bora në Afganistan. Sipas disa llogarive, ata po trajnoheshin si militantë për të luftuar për pavarësinë e ujgurëve në Kinë.
Por, pas procese disavjeçare gjyqësore dhe ndryshimit të qëndrimit të Qeverisë amerikane mbi këta burra, erdhën në të njëjtin përfundim: se nuk ishin armiq të SHBA-ve apo forcave amerikane.
Megjithatë, ata mbetën në burg për disa vite, sepse nuk kishin ku të shkonin. Kina i konsideron terroristë dhe kërkonte t’i persekutojë ata e pak vende dëshironin t’i merrnin. Në vitin 2006, Shqipëria, aleat i palëkundur i SHBA-ve, pranoi t’i merrte pesë prej tyre, transmeton Koha.net.
Qassimi dinte pak për Shqipërinë, si i rritur në Kinën perëndimore. Diktatori kinez Mao dhe diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, kishin ndërtuar marrëdhënie të ngushta në vitet e ’70-ta.
“E kisha një ide se Shqipëria do të ishte një vend i madh, sepse kur isha i ri shihja shumë filma shqiptarë në televizionet kineze për shkak të marrëdhënieve të forta të asaj kohe”, ka thënë Qassim.
Por, kur arriti, Qassimi thotë se nuk mund të besonte se ishte në Shqipëri, pjesërisht për shkak se Tirana i dukej shumë e vogël për të qenë kryeqytet i një vendi.
“Shikova në një hartë për të gjetur Shqipërinë. Por, s’po mund ta gjeja. I pyesja njerëzit: ‘A mund të më gjeni Shqipërinë në hartë?’, ndërsa ata më tregonin një pikë të vogël në hartë”.
Ai gjithashtu mësoi se Shqipëria është bërë shtet demokratik disa vite më parë dhe se kishte shumicë myslimane.
Qassimi shumë shpejtë e kuptoi se Tirana është e mbushur plot me piceri. Kurrë më parë ai s’kishte dëgjuar për pica dhe nuk fliste asnjë fjalë shqipe. Por, hyri në një piceri dhe disi ia doli të porosiste një byrek.
“Ishte i shijshëm. Pronari nuk më mori para në shenjë respekti”, thotë Qassimi nga kuzhina e vogël e një picerie hallall në Tiranë, ku tani punon me gjysmë orari, transmeton Koha.net.
E, sot, pica është ushqimi kryesor në jetën e Qassimit në Shqipëri.
“Nuk është punë e vështirë. Por, ju jep kënaqësi kur njerëzve iu pëlqen pica që e bëni ju, kur ju japin bakshish”, ka thënë Qassimi derisa e bënte specialitetin e tij: Mix Pizza, që është picë me proshutë viçi të Shqipërisë dhe me suxhuk Bosnje.
Qassim flet shqip, një gjuhë jashtëzakonisht e vështirë për të mësuar. Ai thotë të ketë ndjekur disa orë mësimi të gjuhës shqipe pasi kishte arritur në Tiranë, por piceria thotë të ketë qenë mësuese më e mirë.
“Në fillim po e mësoja gjuhën me rregulla. Ndonjëherë edhe gaboja. Shokët qeshnin me mua. Ishte pa dyshim një proces mësimi”, thotë ai.
Një rrëfim i tyre ndërlidhet edhe me Ahmet Dursanin.
Dursun është pronar i një restoranti në Tiranë. Ai u takua me ujgurët rastësisht më 2007. Njëri prej tyre kishte shkuar në restorantin e tij turk për të kërkuar udhëzime. Dursan i ftoi ujgurët për drekë. Ata mund të komunikonin mes vete, pasi që gjuha e ujgurëve është e përafërt me atë turke. Dhe, me këtë rast ia treguan rrëfimin e tyre.
“Ishte dreka më e vështirë në jetën time. Kur po më tregonin për përvojat e tyre… ishte tragjike t’i dëgjosh se çfarë kanë përjetuar”, ka thënë Dursan.
Dursan vendosi se duhej bërë më shumë sesa t’iu ofrojë vetëm mikpritje, transmeton Koha.net. Ai deshi t’u tregonte shqiptarëve se ujgurët meritojnë të jenë pjesë e shoqërisë së tyre. E, restoranti i tij ishte i veçantë: joshqiptarët përgatisin ushqim nga shtëpia dhe i çojnë në restorant. Të hyrat më pastaj shkojnë për bamirësi. Dursan ftoi ujgurët që të punojnë në kuzhinë, ndërsa pilafi me mish viçi i Qassimit u bë shumë i famshëm.
“Përdori shumë karota, aq shumë sa që me gjasë atë ditë lepujt kanë mbetur të uritur”, thotë Dursun. “Ishte shumë i shijshëm – jashtëzakonisht shumë. Kishte edhe qepë të fërguara. Ishte një përzierje që s’e kisha parë më herët. Të gjithëve u pëlqeu shumë”.
Dursan ftoi edhe një reporter televiziv për të intervistuar Qassimin dhe të tjerët. Qassimi thotë se intervista në Top Channel shënoi një pikë kthese. Deri atëherë, ai thotë se disa njerëz janë sjellë keq me të, madje e kanë trajtuar si të ishte terrorist.
“Njerëzit e kuptuan kërkesën tonë dhe nga ai moment gjithçka u përmirësua”, thotë Qassimi.
Jetët e ujgurëve janë përmirësuar në masë të madhe. Qassimi thotë se ka miq shqiptarë dhe ka një grua këtu, një ujgure, dhe një vajzë të moshës së mitur. Megjithatë, Qassimi ende thotë se ka probleme që të sigurojë mbijetesën. Ai punon me gjysmë orari dhe ndihma që e merr nga shteti nuk i mjafton për të mbajtur familjen.
Qassimi thotë se e ka të vështirë të gjejë punë për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, por edhe për shkak të prejardhjes.
“Është e vështirë kur shkoj dhe aplikoj dhe kërkoj punë. Më pyesin prej nga jam. Dhe menjëherë e bëjnë ndërlidhjen me Guantanamon”, thotë ai, transmeton Koha.net.
Guantanamo vazhdon t’ia komplikojë jetën Qassimit. Tre nga miqtë e tij vazhdojnë të jenë të burgosur atje.
“Asnjë vend nuk po dëshiron t’i merr”, thotë ai.
Megjithatë, ai nuk duket se ka ndonjë pakënaqësi për SHBA-të apo për Shqipërinë. Ai e fajëson Pakistanin për të cilin thotë t’i ketë dorëzuar ujgurët tek forcat amerikane më 2001 për një dhuratë: amerikanët kishin menduar gabimisht se ata janë terroristë.
“Kur u thamë amerikanëve se jemi ujgurë, gjendja u përmirësua. Ata s’kishin asnjë problem me neve. Ata në të vërtetë na trajtuan goxha mirë. Disa prej rojave të burgut madje na jepnin edhe çokollata”, thotë Qassimi i cili edhe pse e kanë mbajtur gjatë në burg, nuk e kritikon Amerikën.
“Nuk e di pse më mbajtën kaq gjatë”, thotë Qassimi. “Ndoshta për arsye politike”.
Shqipëria është vend që përkrah në masë të madhe Amerikën.
Edhe nëse do të donte, Qassimi s’ka ku të shkojë. Nuk ka pasaportë, sepse nuk është shtetas. Dhe, nëse kthehet në Kinë, sipas të gjitha gjasave do të arrestohej.