TETOVA GËZOHET EDHE ME NJË HAFIZ TË RI

Dje, më 10.07.2016, në mënyrë zyrtare Mejtepi i Xhamisë së Larme në Tetovë, me sukses nxori hafizin e ri të Kuranit famëlartë, hafiz Abdullah Asllanin.

Në Xhaminë e Larme të Tetovës, para namazit të ikindisë, u zhvillua edhe ceremonia e shpalljes zyrtare për hafiz të Kuranit famëlartë të Abdullah Asllanit. Për të nderuar këtë moment krahas numrit të madh të xhematit dhe hoxhallarëve, të pranishëm ishin edhe myftiu i Tetovës, Dr. Qani Nesimi, kryeimami i Tetovës Prof. Ejup Selmani, etj.

Në fund, hafizit të ri iu dorëzua çertifikata e diplomimit, dhe pastaj ceremonia u mbyll me duanë e hifzit të kënduar nga imami i xhamisë hafiz Abdylbaki Kasami. Pas duasë vijoi fjalimi urues i myfiut të Tetovës dhe me këtë edhe u përmbyll kjo ceremoni madhështore.

Kush në të vërtetë është Abdullah Asllani?!

Hafiz Abdullah Asllani që në moshën 4 vjeçare i mësoi shkronjat e Kuranit, e memorizimin apo hifzin e tij e nisi në vitin 10.10.2013, kur ishte në klasën e 5-të të shkollës fillore. Ndërsa këtë mision të shenjtë sivjet e përfundoi me sukses, konkretisht më 10.03.2016.
Hafiz Abdullah Asllani lindi më 29.07.2003, dhe vjen nga familja Asllani, që është njëra nga familjet më të njohura në Maqedoni dhe me gjerë. E kush nuk e njeh familjen Asllani, e cila ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribute të mëdha në mësimin e leximit dhe memorizimit të Kuranit famëlartë!

Memorizimin e Kuranit e bëri para dy figurave të shquara të kësaj fushe, para babait të tij, hafiz Zulqufli Asllanit, dhe nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e gjyshit të tij, Mulla Mahmud Asllanit, i cili është një legjendë e gjallë.

Njëherazi Mulla Mahmud Asllani dhe djali i tij, hafiz Zulqufli Asllani, janë nga mualimët dhe muhafidhët më të suksesshëm në trojet shqiptare. Në dorën e të parit prej tyre Kuranin e kanë memorizuar mbi 180 nxënës apo hafizlerë. Pastaj, po në duart e Mulla Mahmudit leximin e Kuranit e kanë mësuar me mijëra nxënës, duke kryer së paku nga një lexim të tërësishëm (hatme) të Kuranit. Prandaj, lirisht mund të themi se shumica e hoxhallarëve të Tetovës dhe rrethinës së saj janë nxënës të Mulla Mahmudit.

Hafiz i ri, Abdullah Asllani, është një djalosh shumë i veçantë. Ai gjatë memorizimit të tërësishëm të Kuranit ka arritur të mësojë kuptimin e shumicës së fjalëve të lehta të Kuranit, dhe pa një e pa dy është në gjendje të bëjë një përkthim të thjeshtë të asaj që e lexon. Abdullahu, edhe pse nuk ka qenë kurrë në botën arabe, dhe asnjëherë nuk ka ndjekur ndonjë kurs të arabishtes, është në gjendje të kuptojë, dhe, deri diku edhe të flas, gjuhën letrare arabe.
Hafiz Abdullah Asllani momentalisht është nxënës i cili sapo e ka përfunduar klasën e VII-të, në Shkollën Fillore “Istikball” në Tetovë. Ai është një shembull i shkëlqyer, dhe vërteton se me mund dhe guxim arrihen synime të mëdha.

Për fund, dhe jo përfundimisht, vlen të theksohet se hafizi i ri është i dhjeti me radhë i hafizlerëve të familjes së Mulla Mahmud ef. Asllanit. Hafizlerët e kësaj familje janë:

1. Hafiz Imer Asllani, djali i vëllait të Mulla Mahmudit. Hafiz Imeri është myezini i Xhamisë së Larme.

2. Hafiz Abdylbaki Kasami, djali i motrës së Mulla Mahmudit. Hafiz Abdylbakiu është imami i Xhamisë së Larme.

3. Hafiz Zulqufli Asllani, i biri i Mulla Mahmudit. Hafiz Zulqufliu është mualim i Xhamisë së Larme.

4. Hafiz Muhamed Asllani, djali i djalit të Mulla Mahmudit. Hafiz Muhamedi është hatib në Xhaminë e fshatit Prelubisht.

5. Hafiz Amir Asllani, djali i djalit të Mulla Mahmudit. Hafiz Amiri është imam në Xhaminë Gam Gam.

6. Hafiz Muadh Asllani, djali i djalit të Mulla Mahmudit. Hafiz Muadhi është zëvendësimam në Xhaminë e Larme.

7. Hafize Mashita Asllani, vajza e djalit të Mulla Mahmudit. Hafize Mashita është hoxheshë e diplomuar.

8. Hafize Hafsa Asllani, vajza e djalit të Mulla Mahmudit. Ajo akoma është studente në Tetovë.

9. Hafiz Emir Kasami, djali i djalit të motrës së Mulla Mahmudit. Ai akoma është student në Turqi.

10. Hafiz Abdullah Asllani, që është djali i Zulquflisë, dhe nxënës fillorist.

Lusim Allahun Fuqiplotë që Hafiz Abdullahut, si dhe familjes së tij t’i japë gjitha të mirat e dynjasë dhe të gjitha të mirat e ahiretit!

Shkruan: Hazir Selmani

(Islampress)

Artikulli paraprakSrebrenicë, sot u jepet lamtumira e fundit edhe 127 viktimave të gjenocidit
Artikulli vijuesPesë gjërat që i mësova për veten gjatë këtij ramazani