Thaçi dhe Ban biseduan edhe për Mitrovicën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është takuar të martën në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.


Temë kryesore e diskutimit ishin zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi e informoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së edhe për tensionimin e situatës së fundit në Mitrovicë.

Në takim, Kryeministri Thaçi e falënderoi Sekretarin Ban për përkrahjen e tij personale dhe refuzimin që Kombet e Bashkuara të organizojnë zgjedhjet e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, e cila tendencë jo vetëm që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244.

Në takim pos tjerash u bisedua edhe për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet dhe reformat e fundit, legjislative, politike, si dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit theksoi rëndësinë e përkrahjes së Kosovës, dhe ritheksoi se vizioni i tij dhe Qeverisë së Kosovës është integrimi i Kosovës dhe i gjithë rajonit në BE dhe në NATO, si dhe në një të ardhme jo të largët Kosova të jetë edhe anëtare në OKB.

Kryeministri Thaçi në takim ka kërkuar gjithashtu mbështetjen personale të Sekretarit të Përgjithshëm që t’i mundësohet edhe Kosovës të merr pjesë në Lojërat Olimpike. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakOVL UÇK: O shteti o qytetarët!
Artikulli vijuesKOFI ANNAN VIZITON KAMPET E SIRIANËVE NË TURQI