Thaçi godet Brukselin: Dështuat me Kosovën, por nuk do të dëshpërohemi

Presidenti Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shprehur i pakënaqur me raportin e miratuar dje nga Komisioni Evropian.

Ai në Facebook ka shkruar se për arsye politike, dokumenti nuk ka arritur që të paraqesë perspektivë për anëtarësim për të gjitha shtetet e rajonit. Kosova, sipas Thaçit, u la prapa.

Lexojeni të plotë shkrimin e Thaçit në Facebook:

Komisioni Evropian publikoi dje strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Këtë strategji e vlerësoj si një përpjekje të BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE.

Prandaj, e mirëpres hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqes një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim.

Ne duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të kësaj strategjie për të avancuar pozicionin tonë në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja.

Pastaj, na mbetet që të punojmë çdo ditë me përkushtim për të mënjanuar çdo barrierë politike, në mënyrë që të realizojmë aspiratën tonë për integrime euroatlantike. HTH

 

Artikulli paraprakHaradinaj: Shfuqizimi i Speciales, ishte “Mision Impossible”
Artikulli vijuesNdërtesa ku banon Albin Kurti përfshihet nga zjarri