Pas tentativës për kryengritje nga një pjesë e vogël në ushtrinë turke, reagojnë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri Isa Mustafa dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Presidenti Thaçi u shpreh se “Stabiliteti i Turqisë është çelës i stabilitetit i të gjithë rajonit. Në mbështetje të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, të ligjit dhe të rendit në vend”.
“Në këto momente sfiduese për Turqinë, fuqimisht përkrah institucionet e dala nga vota me vullnetin e qytetarëve të këtij vendi mik të Kosovës. Në shoqëritë demokratike me shtetin qeverisin ata që kanë marrë mandatin nga populli. Uroj që sa më shpejtë të stabilizohet gjendja në Turqi dhe të mos ketë viktima të pafajshme”, u shpreh Kryeministri Mustafa, në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook u shpreh se “Me shqetësim të thellë kemi ndjekur ngjarjet në Turqi, ku dhjetëra qytetarë mbetën të vdekur dhe të plagosur. Përgëzojmë Kuvendin e Madh Popullor dhe institucionet e Republikës së Turqisë për kthimin e rendit dhe ligjit të cilat burojnë nga vota e popullit, duke ofruar konsideratën më të lartë të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror”.