Somalezja Zehra Ahmed thotë se një thatësirë dhe uri të tillë janë duke e përjetuar për herë të parë
Thatësira ekstreme në Somali po rrezikon jetën e banorëve të këtij vendi. Lumi Shebelle, i cili kalon në pjesën qendrore dhe atë jugore të vendit, është tharë. E përfshirë nga uria dhe mungesa e ujit, banorët kanë braktisur shtëpitë për të shkuar gjetiu, në mënyrë që të mbijetojnë.
Të përballur me vështirësi për gjetjen e ushqimit dhe ujit si pasojë e thatësirës, familjet kanë marrë rrugën duke ecur me ditë të tëra për t’u strehuar në kampin me tenda në afërsi të kryeqytetit Mogadishu. Somalezët, të cilët vazhdojnë luftën e tyre të vështirë për mbijetesë aty, rrëfyen përjetimet e tyre për Anadolu Agency (AA).
Somalezja Zehra Ahmed, nënë e katër fëmijëve, tregon se me tharjen e tërësishme të lumit Shebelle, i cili është burimi më i rëndësishëm i ujit në pjesën qendrore dhe jugore të vendit, ata kanë lënë të gjitha pronat e tyre dhe janë larguar nga rajoni.
Ahmed thotë se një thatësirë dhe uri të tillë janë duke e përjetuar për herë të parë. “Afërsisht 400 kokë dhen, që janë burimi i të ardhurave tona, kanë ngordhur. Nuk kam forcë t’i rrëfej vështirësitë që i përjetuam në rrugë pasi u larguam nga rajoni. Kafshët rrëzohen dhe ngordhin. Madje edhe njerëz vdisnin”, tregon Ahmed.
Ndërkaq, Haride Husejin, e cila po ashtu ka braktisur shtëpinë dhe është nisur në rrugë së bashku me familjen e saj, thekson se popullata e rajonit, e cila siguron jetesën nga bujqësia dhe blegtoria, ka ngelur e uritur dhe të etur për shkak të thatësirës ekstreme.
“Kishte fëmijë dhe të moshuar që vdiqën nga etja”
Duke treguar se ka pasur edhe prej atyre që kanë humbur gjatë udhëtimit të vështirë në të cilin janë nisur për të mbijetuar, Husejin rrëfen: “Ngela e detyruar të largohem nga rajoni për ta shpëtuar jetën e fëmijëve të mi, pasi që kafshët e mia ngordhën nga uria para syve të mi. Kemi ecur tri ditë me radhë për të arritur në afërsi të Mogadishus. Gjatë rrugëtimit, kishte fëmijë dhe të moshuar që vdiqën nga etja.”
Husejin po ashtu tregon se jeta në tenda nuk është aq e lehtë për ta. “Kjo tendë e zbrazët u bë stacioni i fundit për ne. Teksa fëmijët tanë kaplohen nga sëmundje të ndryshme, ne presim duke mos pasur zgjidhje për gjetjen e barërave. Me të vërtetë jemi duke jetuar në kushte të vështira dhe kemi frikë që gjendja jonë do të përkeqësohet edhe më tepër”, rrëfen Husejin.
“Mund të ndodhë katastrofë njerëzore”
Ndërkohë, drejtori i kampit me tenda Kah, Haxhi Omer, shprehet se çdo ditë është duke u rritur numri i personave që migrojnë nga rajonet Hiran, Shebelle e Poshtme dhe Shebelle Qendrore për shkak të thatësirës dhe urisë.
Omer tregon se shumica e të strehuarve në kamp janë fëmijë, gra dhe të moshuar. Ai apeloi për ndihmë, duke e theksuar pamjaftueshmërinë e mundësive.
“Në kamp nuk ka gjë tjetër përpos ujit. Ne po përpiqemi ta largojmë urinë e të posaardhurve duke mbledhur produktet ushqimore nga banorët e kampit. Nëse persona relevantë nuk ndërmarrin diçka, në rajon mund të ndodhë katastrofë njerëzore”, thekson Omer, duke u bërë thirrje organizatave humanitare urgjentisht të mobilizohen për ndihmë.