“The Guardian”: Përse të burgosurit australianë po bëhen muslimanë

Fremantle Prison

Ekspertët thonë se konvertimet në burgje mund të jenë një shtysë pozitive, e cila u jep të burgosurve shpresën, strukturën dhe rrugën për rehabilitim. Vetëm në rastet kur të burgosurit u ekspozohen kushteve të këqija dhe segregacionit, atëherë radikalizimi bëhet një rrezik.

“Jailhouse xhihad”, ishte një nga titujt e gazetave australiane, i cili paralajmëronte se burgjet e Australisë po shndwrrohen në një vatër ekstremizmi.

Akademikët, imamët dhe punonjësit e burgjeve pajtohen që konvertimet në Islam tani janë të zakonshme në burgjet e Australisë. Por ata thonë se rreziku i radikalizimit, ndonëse i pranishëm, është i fryrë.

Titujt e bujshme të gazetave rrezikojnë të lënë nën hije një diskutim të rëndësishëm: a mund të jenë konvertimet brenda në burg një forcë për përmirësim? Dhe pse ndodh që burgosurit po kthehen në Islam?

Michael Kennedy, një detektiv veteran prej 20 vjetësh, ka më shumë njohuri se të tjerët në lidhje me këtë temë. Që nga largimi nga skuadra e krimit të organizuar në New South Wales, ai ka studiuar lidhjen mes Islamit dhe jetës në burgje, si një akademik në Universitetin e Western Sydney.

Kennedy nuk është një njeri besimtar. Por ai ka arritur të kuptojë krimin dhe kriminelët, nga dy perspektiva shumë të dallueshme.

Kennedy ka mbajtur kontakte me “shumë mashtrues të mirë” të cilët i takoi në jetën e tij të mëparshme. Ata shkëmbejnë letra herë pas here. Korrespondentët e tij hynë brenda dhe jashtë burgut, duke i dhënë atij një pasqyrë unike në lidhje me rolin e fesë në burg.

Kennedy thotë se feja ka një ndikim që mund të hapë një rrugë për rehabilitim. Kjo i jep të burgosurve një lloj strukture dhe siguron një motiv për të qëndruar larg drogës dhe alkoolit.

Robbie Maestraçi, një punonjës i komunitetit me Këshillin Islam të Queensland, viziton çdo javë të burgosurit muslimanë në zonën më të madhe të qytetit Brisbane. Ai beson se ekziston një trend i mirë i konvertimeve në Islam në mesin e të burgosurve.

“Pa dyshim se ekziston … Ne vazhdimisht dëgjojmë emra të rinj të njerëzve që e kanë përqafuar Islamin ose emrat e njerëzve që duan të përqafojnë atë. Së paku çdo dy javë, paraqiten një ose dy emra të ri që i shtohen listës tonë”, thotë Maestraçi.

Ai thotë se burgu, i privuar nga presionet sociale dhe financiare, inkurajon të menduarit reflektues.

“Kur këta njerëz janë të detyruar të ulen dhe të shohin në mënyrë retrospektive veprimet e tyre, mendoj se fillojnë të ndiejnë pendim dhe keqardhje për gjërat që kanë bërë, dhe në këtë proces, mendoj, fillon udhëtimi për kërkim-falje nga njerëzit dhe nga Autoriteti më i Lartë”.

Maestraçi nuk është i shqetësuar për radikalizimin e të burgosurve muslimanë.

“Gjëja e fundit që më shqetëson lidhur me këta vëllezër brenda, bazuar në marrëdhëniet e mia të rregullta me ta, është që ata mund të radikalizohen apo të përdorin fenë për qëllime të gabuara”, thotë ai.

Disa ekspertë kanë hulumtuar më tej, për të kuptuar dinamikën e konvertimit në islam nëpër burgje. Dy burgje pranë Manilës në Filipine, shërbejnë si një studim për autoritetet korrektuese australiane.

Kushtet në burgjet e Filipineve janë një botë larg nga ato në Australi. Ata i karakterizon një mbipopullim, luftërat midis bandave të burgut, mbikëqyrja e të burgosurve dhe qindra pjestarë të grupeve Abu Sayyaf dhe Jemaah Islamiyah.

Për 10 vitet e fundit, studiuesi i Universitetit Kombëtar Australian, Clarke Jones ka studiuar të dy burgjet dhe të tjerë në rreth nëntë vende të Azisë juglindore. Ai ka kërkuar të kuptojë se si ndërvepron mjedisi i burgut me konvertimin dhe radikalizimin potencial. Gjetjet, të cilat do të publikohen shpejti në një libër, janë të habitshme.

Jones gjeti se gjasat për konvertim dhe radikalizëm bëheshin më të mëdha sa më të këqija që ishin kushtet brenda burgut. Por sa më i devotshëm që ishte një i burgosur, aq më të vogla ishin gjasat që ai të bëhej radikal ose të sillet në mënyrë të vrazhdë prapa hekurave.

Feja nuk është faktori i vetëm në radikalizimin e të burgosurve, zbuloi Jones. Në vend të kësaj, deri te ai (radikalizimi) vie si rezultat i një grupi kompleks faktorësh, duke përfshirë karakteristikat e mjedisit të burgut, kulturën e burgut, barrierat sociale dhe nevojën themelore për mbijetesë.

“Duke parë atë që ka ndodhur në Filipine dhe vende të tjera anembanë botës, unë kam ardhur në përfundimin se sa më të ashpra dhe sa më armiqësore të jenë kushtet, aq më i madh është rreziku i radikalizimit të burgjeve”, thotë Jones.

Jones pajtohet se nuk ka dobi të ekzagjerohet me rrezikun nga radikalizimi në burgje. Ai thotë se nuk ka shembuj të vërtetë të australianëve që radikalizohen prapa hekurave dhe që kryejnë sulme.

“Ka shumë pak raste, për të cilat mund të thuhet se radikalizimi i burgjeve ishte shkaku i një akti terrorist, shumë pak”, thotë ai.

Shumica e atyre që konvertohen në Islam në burg e humbin besimin e tyre pasi të lirohen dhe kthehen në qarqet e tyre të zakonshme shoqërore, thonë Jones dhe Kennedy. Por Jones paralajmëron për çfarëdo vetëkënaqësie.

“Është një rrezik të thuash se radikalizimi nuk ndodh”, thotë ai.

Qeveria e shtetit po investon rreth 47 milion dollarë në tre vjet për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në burgjet e saj. Paratë do të shkojnë në programet e ndarjes së burgosurve të identifikuar si rrezik i radikalizimit.

“Në vitet e fundit Shërbimet Korrektuese NSW kanë vënë një fokus më strikt në identifikimin e të burgosurve në rrezik për t’u radikalizuar”, tha një zëdhënëse e shërbimeve korrektuese.

“Të burgosurit e dyshuar, ose të identifikuar, të mbajtur si persona me pikëpamje radikale, monitorohen për së afërmi nga stafi me përvojë dhe të trajnuar mirë dhe largohen nga të burgosurit e tjerë nëse është e nevojshme”.

Këta të burgosur inkurajohen të përballen me ideologjitë e tyre ekstremiste dhe të mësojnë të jetojnë me respekt me të tjerët me prejardhje dhe besime të ndryshme”.

Ajo tha se çdo i burgosur që u përpoq të radikalizonte të tjerët u vendos me shpejtësi në një mjedis më kufizues, për të kufizuar ndikimin e tyre.

Një qasje e ngjashme është aplikuar në Filipine, ku burgjet ose integrojnë të burgosurit terroristë me pjesën e përgjithshme të të burgosurve ose i ndajnë ata.

Jones thotë se përqendrimi i të burgosurve të rrezikshëm në të njëjtën pjesë të burgut është kundërproduktive dhe e rrezikshme dhe mund të rrisë rrezikun e radikalizimit dhe të sulmeve. Ai thotë se kanë mësuar leksion në Mbretërinë e Bashkuar e cila mbante anëtarë të Armatës Republikane Irlandeze.

Ali Kadri, nënkryetar i Këshillit Islamik të Queensland, beson se nuk ka prova të vërteta që tregojnë se të burgosurit po bëhen radikalë.

Ai beson se konvertimet fetare, në fund të fundit, janë një shtysë për të bërë mirë.

“Jo vetëm kaq. Ne gjejmë se njerëzit të cilët kanë qenë të izoluar nga shoqëria dhe kanë çuar jetë krimi, e të cilët më pas kanë gjetur besimin në burg dhe ndjenjën dhe përkatësinë e një komuniteti, të jenë persona të cilët kanë më shumë motivim për të vepruar mirë sesa më parë”, thotë Kadri.

“Ne mendojmë se besimi, jo vetëm Islami, ka potencial për të ndihmuar njerëzit të cilët ndodhen në situata të tilla, të gjejnë rrugën e drejtë”.

Artikulli paraprakNënshkruhet kontrata për rrugën e Arbërit
Artikulli vijuesShikoni Zip Line-in më të gjatë në botë (Video)