Tiranë, fillon samiti rajonal për përpjekjet kundër ekstremizmit të dhunshëm

0
195
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është përzgjedhur si vendi ku po mbahet samiti rajonal për përpjekjet kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë samit marrim pjesë përfaqësuesit e ministreve të Brendshme të vendeve të Ballkanit, si edhe përfaqësues të ministrive të Brendshme nga Italia, Gjermania e Austria. raporton Anadolu Agency (AA).  
 
Në ditën e parë të këtij samiti në sesionin e hapur për mediat, mbajti një fjalë përshëndetëse ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe nënsekretarja e Shtetit të SHBA-së për Sigurinë Civile, Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall.
 
Tahiri ka vlerësuar se ky samit shënon një moment kulmor, në përpjekjet e Qeverisë shqiptare, por edhe në përpjekjet e përbashkëta në rajon, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe pasojave të tij për shoqërinë.
 
Sipas tij terrorizmi është një problem madhor për vendet, shoqëritë, por edhe vlerat që kanë trashëguar dhe mbartin qytetarët dhe shoqëritë në secilin prej vendeve të rajonit dhe kudo të botë, duke shtuar se është një sfidë madhore e Shqipërisë, vendeve të rajonit, por edhe një sfidë madhore globale.
 
“Shqipëria është rreshtuar në aleancën e vendeve kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kjo na bën ne shoqërisht krenarë, për gjithçka kemi arritur në krah të partnerëve tanë strategjikë në luftë kundër rrezikut më të madh të qytetërimit tonë. Sot nuk mund të thuhet se ka një vend të vetëm në botë, që është imun, ndaj kërcënimit të terrorizmit. Edhe Ballkani si i tillë, duket sikur për momentin vetëm eksporton rrezik, që janë luftëtarët e huaj, dhe ky është një problem që jo pak ka shqetësuar shoqëritë tona. Por unë besoj se nuk është e largët dita, kur problemi që sot eksportojmë të jetë një problem që nesë të vijë në shtëpinë tonë”- u shpreh Tahiri.
 
Sipas ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ka shumë faktorë që ndikojnë në nxitjen e qasjes ekstreme, apo të ekstremizmit të dhunshëm, ata janë socialë mbi të gjitha dhe pastaj faktorë të tjerë që kanë ndikuar në mënyrë historike ose jo, në nxitjen e tendencave që çojnë në ekstremizmin e dhunshëm.
 
Ai shton se përfshirja e komuniteteve ka një rol kyç në ndërtimin e modeleve sociale të shëndosha, dhe rol kyç, më shumë se kaq ka përfshirja e komuniteteve fetare. “Shqipëria është një ndër vendet që harmoninë fetare e ka simbol të integrimit dhe të bashkëjetesës, ndërmjet komuniteteve fetare, jo vetëm kaq, por dhe në edukimin e modelit të saktë të praktikimit të fesë, duke mënjanuar çdo mundësi që praktikimi i fesë të kthehet në vetvete një nxitje për ekstremizëm të dhunshëm”- vlerësoi ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.
 
Ndërsa nënsekretarja e Shtetit të SHBA-së për Sigurinë Civile, Demokraci dhe të drejtat e njeriut, Sarah Sewall e ka konsideruar ekstremizmin një çështje globale dhe sipas saj duhen bashkuar forcat për një dialog fetar, duke vlerësuar se terroristet nuk njohin kufij. Ajo ka vlerësuar se në Ballkanin perëndimor fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm është vërtet serioz
 
Samiti rajonal kundër Ekstremizmit të Dhunshëm i zhvillon punimet e tij në Tiranë në datat 19, 20 dhe 21 maj. Pjesë e tij janë edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ministri i Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Mektiç. Gjithashtu në këtë samit marrin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare të vendeve të rajonit, studiues dhe ekspertë të ndryshëm. Sipas axhendës së parashikuar, punimet e këtij samiti nesër do të përshëndeten nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama