Një vajzë e mitur shfrytëzohej si prostitutë në Durrës dhe Tiranë nga shoqja dhe i dashuri i saj. Në kuadër të operacionit të koduar “Studenti”, u vunë në pranga Abiela Tafa 21 vjeçe, banuese në Tiranë, Dritan Mici 25 vjeç, banues në Kamëz, ndërsa filloi procedimi penal në gjendje të lirë për B.K. 38 vjeç, banues në Prishtinë të Kosovës.
Burime zyrtare nga policia thanë për Noa.al, se ndaj tyre ka bërë kallëzim 15-vjeçarja I.D., me banim në Durrës, e cila është shfrytëzuar për një periudhë kohore një mujore, për qëllime prostitucioni, nga Dritan Mici dhe Abiela Tafa.
Mici dhe Tafa ishin të dashur mes tyre, dhe 21-vjeçarja e cila ndiqte studimet në Tiranë, e kishte shoqe të miturën dhe e ka mashtruar, duke arritur deri në shfrytëzim prostitucioni. Ajo detyrohej të shiste trupin kundrejt pagesës 10 mijë lekë të reja ose 50 euro në hotele të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit.
Ndërkohë B.K., po ndiqet penalisht në gjendje të lirë pasi ka biseduar me Abiela Tafën, për të kryer marrëdhënie seksuale me të miturën kundrejt pagës prej 50 euro. Të ndaluarit akuzohen për veprat penale “Prostitucioni”dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.