Tragjedia në Himarë, shkak shpejtësia

Policia e Shqipërisë deklaroi të enjten se shkak për aksidentin tragjik të Himarës, ku mbetën të vdekur 13 persona, dyshohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara në segmentin ku ndodhi ngjarja.

Policia bëri me dije se norma e lejuar në vendin ku ndodhi aksidenti ishte 20 kilometra në orë, ndërsa shoferi i autobusit udhëtonte me 40 kilometra në orë.

“Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrtësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta. Nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, nga ku rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica.

Po ashtu mësohet se gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës.
“Nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e aksidentit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm. Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë”, thuhet në njoftim. Ndërkohë hetimet rreth ngjarjes vijojnë ende./tch/kohaislame

Artikulli paraprakTerroristi Breivik i vë kushte gjykatës
Artikulli vijuesMblidhen 20 tonë mbeturina