Tregime Ramazani – Kishte një ves të keq qe ndiqte në jetë. Konsumonte alkoolin…

Emri i tij ishte Abdullah dhe ishte shume i dashur per Pejgamberin a.s. Megjithatë, kishte një ves të keq qe ndiqte në jetë. Konsumonte alkoolin. Këtë e bënte publikisht dhe meritoi dënimin sheriatik, goditje me kamxhik në publik. qëllimi këtyre goditjeve nuk ishin goditjet e forta që dëmtonin trupin, por turpi publik për të cilin shpirti duhej të turpërohet. Abdullahu kaloi këtë një herë, dy, tre dhe kur për të katërtën herë e dënuan njëri nga sahabët i tha: “Zoti të mallkoftë, deri kur kështu?! Ndërsa i Dërguari i mëshirës ktheu shikimin e tij drejt atij njeriu dhe i tha: “Mos e mallko se në të vërtetë ai e donë Allahun dhe Pejgamberin e Tij!” Pas kësaj Abdullahu gjithmonë kërkonte shoqërinë e Pejgamberit a.s. dhe asnjëherë nuk iu kthye atij gjynahu.
***
Në xhuzin e katërt është ajeti në të cilin Allahu thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.

Muhamedi a.s. zemrat e njerëzve i fitonte me mëshirë dhe sjellje të bukur, e jo me pasuri dhe poste! Nëse vërtetë e ndjekësh Pejgamberin a.s. njerëzit do të ndjehen mirë në shoqërinë tënde, sepse e dinë se nga ti do të presin vetëm mirë. Njerëzit do të dëgjojnë dhe do të duan aq sa ti u jep të mira. Kështu na mëson Kurani.

Artikulli paraprakTregime Ramazani – Një njeriu i thanë të hyj në një shtëpi të madhe ku gjendet një dhomë me ar, argjend dhe diamante…
Artikulli vijuesTregim edukativ: Punë, shtëpi – shtëpi, punë…