Tregtia me pakicë, supermarketet e mëdha të zhytura në borxhe

Problemet me faturat e papaguara dhe si po zhvillohen pagesat me këste dhe shërbimet e përmbarimit për mbledhjen e borxheve. Furnitorët tërheqin furnizimet nga një nga supermarketet më të mëdha në vend pas problemeve me pagesat e faturave.
 
Furnitorët e një prej rrjeteve më të mëdha në Shqipëri janë vënë në radhë për të mbledhur paratë e produkteve që kanë furnizuar, duke krijuar një zinxhir borxhesh dhe mungesë likuiditeti.
 
Pagesa me vonesë ose mospagesa prej kohësh e faturave të furnizimit me shumicë janë bërë çështje shqetësuese për bizneset e mesme dhe të mëdha që furnizojnë pikat e shitjes me pakicë dhe supermarketet.
 
Një sërë furnitorësh ankohen se po iu vonohen pagesat për furnizimet dhe po u drejtohen rrugëve gjyqësore dhe shërbimeve të përmbarimit (debt collection) për të mbledhur mjetet monetare.
 
Madje furnitorët po aplikojnë skema të ngjashme me ato që po zbaton Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), duke u kërkuar debitorëve kryesisht të paguajnë me këste borxhet dhe të plota faturat e furnizimit të radhës.
 
Të dhënat nga pasqyrat financiare të publikuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit tregojnë se në bilance po referohen detyrimet afatshkurtra ndaj furnitorëve, ashtu si dhe detyrimet për kredi afatshkurtra dhe afatgjata.
 
Sipas bilancit të rrjetit më të madh në vend për nga xhiroja, Carrefour, (CBM Balkans) për vitin 2013 detyrimet afatshkurtra për vitin 2012 ishin mbi 867 milionë lekë për t’u rritur në vitin 2013 në 892 milionë lekë ose rreth 8 milionë dollarë. Madje detyrimet nga furnitorëve janë më të larta se gjithë detyrimet ndaj bankave për kreditë e mara afatshkutra dhe afatgjata. Kështu detyrimet afatshkutra si kredi të marra janë rreth 168 milionë lekë ndërkohë që kreditë afatgjata rreth 304 milionë lekë duke çuar në një total borxh ndaj bankave në rreth 472 milionë lekë. Ndërkohë vetëm detyrimet afatshkurtra (ndaj furnitorëve) për vitin 2013 janë raportuar 892 milionë pra rreth 2 herë më shumë se kredia. (shiko tabelën: Bilanci i CMB Balkans-Carrefour, 2013). Kompania ka një kapital negativ për shkak të humbjeve të akumuluara në vite, ndërsa ka një raport të totalit të detyrimeve ndaj totalit të pasivit prej gati 120%, çka tregon se zinxhiri i supermarketeve është i zhytur në borxhe. Mjetet e veta të kompanisë (totali i aktiveve) janë më të ulëta se detyrimet ndaj furnitorëve, çka rrit probabilitetin e paaftësisë paguese të kompanisë.
 
Kompanitë e cigareve, produkteve të bulmetit, higjienës personale, ushqimeve etj., kanë akumuluar borxhe të pambledhura edhe gjatë vitit 2014. Shifrat nuk janë bërë ende publike nga QKR, pasi afati është në fund të muajit qershor, por të dhënat operative nga disa furnitorë tregojnë se situata është përkeqësuar. Problemet në Greqi të grupit të Carrefour dhe zgjerimi drejt Maqedonisë mendohet se janë problemet kryesore që kanë sjellë si pasojë mungesën e likuiditetit dhe vonesën në pagesën e faturave te dega e Carrefour.
 
Zvarritja e pagesave ka rrudhur ofertat e produkteve në rrjetet e shitjes me pakicë, duke rrezikuar të kthehet në një cikël të mbyllur, mospagesat ulin furnizimet, ulja e furnizimeve ul shitjet dhe ulja e shitjeve ul pagesën e faturave të furnitorëve.
 
Fitues dhe humbës
 
Me probleme në pagesat e furnitorëve janë edhe njësitë e vogla tregtare, kryesisht brenda lagjeve, ndërsa situata jashtë Tiranës dhe në fshatra është më dramatike. Listat e qytetarëve që s’paguajnë dot blerjet me pakicë shoqërohet me listat me borxhe të dyqaneve ndaj furnitorëve.
 
Nga kjo situatë kanë përfituar rrjetet e tjera të shitjeve me pakicë, të cilat kanë përmirësuar bilancet e tyre gjatë viteve të fundit. Të dhënat e bilanceve të marra në QKR dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se për vitin 2013, CMB Balkans (Carrefour) ka thelluar humbjet në rreth 394 milionë lekë, ndërkohë që dy rrjetet e tjera Conad dhe Ecomarket kanë realizuar fitime respektivisht në shifrat 26.8 milionë lekë dhe 19.3 milionë lekë.
 
Furnitorët kryesorë thonë se rrjetet e marketeve të Conad, Big Market dhe Eco Market nuk kanë vonesa domethënëse në pagesat e faturave të furnizimit. Në këtë mënyrë, ato kanë rritur aktivitetin dhe qarkullimin si dhe kanë siguruar rezultat financiar pozitiv.
 
Tregtia në supermarkete, dy anët e medaljes
 
Hyrje-daljet dhe transaksionet e shitblerjeve në tregun e shitjes me pakicë. Si ndahet tregu 1.2 miliardë euro mes rrjeteve të supermarketeve dhe dyqaneve të vogla tradicionale.
 
Kur kishin kaluar rreth 10 vite nga vendosja e ekonomisë së lirë të tregut në Shqipëri, disa kompani konsulence sugjeruan biznesin e shitjeve me pakicë në qendra tregtare kryesisht jashtë Tiranës, si një model suksesi i sigurt për të gjeneruar fitime.
 
Ndryshimi i të bërit pazar nga dyqanet e lagjes drejt supermarketeve u pa fillimisht si një formë fitimprurëse e të bërit biznes dhe me fitime të sigurta. Por historia e shitje-blerjes së disa rrjeteve të marketeve apo dalja nga tregu pa lënë gjurmë si në rastin e sllovenëve të Mercator zbehin disi suksesin e shitjeve me pakicë në supermarkete dhe qendra tregtare, kryesisht në Tiranë dhe në disa qytete kryesore.
 
Llogaritjet e studiuesve të tregut tregojnë se pjesa e shitjes me pakicë në rrjetet e organizuara mbetet e ulët në rreth 7-10% të totalit të tregut dhe se konkurrencës së fortë mes rrjeteve të supermarketeve të huaja si Conad, Carrefour dhe atyre vendase si Big Market dhe Eco Market i kundërvihet një shkallë e lartë informaliteti e dyqaneve të vogla.
 
Sipas studimeve, disa sipërmarrje të mëdha kanë hasur vështirësi të operojnë në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ndërkohë që disa të tjerë, sidomos ato me kapital vendas, po rezistojnë ende dhe kanë mbajtur pjesë stabël të tregut, duke ditur të përshtaten ndaj konsumatorit shqiptar.
 
Kështu Mercator, rrjeti slloven i shitjes me pakicë e mbylli aktivitetin në Shqipëri në vitin 2012. Euromax, brandi belg i grupit Delhaise, u ble nga Balfin në vitin 2013 dhe shumë shpejt iu shit CM Balkans B.V (i cili menaxhon rrjetin francez Carrefour në Ballkan.
 
Carrefour mbetet ndër më të mëdhenjtë në tregun e shitjeve me pakicë dhe vlerësohet se ka rreth 2% të tregut në total. Të njëjtën pjesë tregu ka dhe Big market, që ka shënuar zgjerim vitet e fundit.
 
Ndërkohë që Eco Market, një tjetër brand me pronësi shqiptare, po rritet shpejt në treg dhe ka marrë disa përqindje të tregut nga dalja e Mercator. Tregu i shitjeve me pakicë në Shqipëri vlerësohet nga INSTAT në rreth 850 milionë euro, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, por problemi kryesor vazhdon të mbetet informaliteti, për shkak se dyqanet e vogla nuk lëshojnë kuponë tatimorë dhe nuk deklarojnë xhirot reale. Nëse në treg do të llogariteshin edhe shitjet e dyqaneve të vogla që shesin pa fatura tregu, vlerësohet se ai xhiron rreth 1.2-1.3 milionë euro ose rreth 40% më shumë se shifrat zyrtar.
 
Tregtia dominohet nga dyqanet e lagjes
 
Me gjithë zgjerimet e rrjeteve të shitjes me pakicë, pjesa dërmuese e shitjeve realizohet nga dyqanet e vogla, në rreth 90% të totalit. Ndër supermarketet, rrjeti kryesor mbeten Conad, Big Market dhe Carrefour, me 2% të totalit të shitjeve me pakicë.
 
Euromax, rrjeti i parë i
shitjeve me pakicë i hapur në vitin 2005, ka shënuar rritje nga 2.5 milionë euro deri në 35 milionë euro në vitin 2008, me një rritje 17 herë brenda 4 vitesh. Më pas, shitjet rrudhen për tre vite me radhë deri në 22 milionë euro në vitin 2011, për të rifilluar rritjen e shitjeve dhe për të arritur rekordin në vitin 2012 me 37.5 milionë euro. Më pas kompania doli nga tregu, duke ia shitur rrjetin e saj Carrefour.
 
Rritet numri njësive tregtare, ulen fitimet, në vështirësi dyqanet e lagjeve
 
Aktiviteti i tregtisë me pakicë në mënyrën tradicionale të dyqaneve të lagjeve është parë prej kohësh si mundësi vetpunësimi më shumë se sa biznes që gjeneron fitime. Rritja e numrit të supermarketeve të mëdha dhe minmarketeve në lagje ka vënë në vështirësi sipërmarrjet e vogla të cilave iu mbetet të shesin vetëm furnizimet e përditshme të konsumit si buka, produktet e qumështit dhe ushqimet bazë.
 
Të dhënat zyrtare tregojnë se është rritur vitet e fundit numri i njësive tregtare të shitjes me pakicë në rreth 30 mijë që përbën dhe gjysmën e bizneseve të regjistruara në Shqipëri. Përgjithësisht këto biznese janë të organizuara si biznese të vogla me xhiro nën 2 milionë lekë në vit dhe të përjashtuara nga TVSH dhe që paguajnë tatim fitim vjetor në shumën 25 mijë lekë. Rrjetet e supermarketeve e konsiderojnë konkurrencë të pandershme faktin që dyqanet e vogla të lagjeve shumë rrallë të japin kupon tatimor me frikën se mos kalojnë pragun e klasifikimit si biznes që nuk paguan TVSH.
 
Rritja e konkurrencës në tregun e shitjeve me pakicë (retail) ka sjellë edhe rënien e marzheve të fitimit. Rrjetet e supermarketeve duke patur fuqi të madhe blerëse kanë dhe mundësinë e ndikimit te furnitorët duke ulur çmimet e blerjes me shumicë dhe duke ofruar çmime më të lira për konsumatorët finalë. Një dukuri që vihet re sidomos te produktet me ditë të afërt të skandencës dhe lidhet me uljen e fortë të çmimeve të blerjes që paguajnë supermarketet te furnitorët, të cilët janë të detyruar të shesin sasi të konsiderueshme në periudha kohore të shkutra. Kjo sjell rënie të çmimeve dhe konkurrencë të fortë brenda produkteve. Shembull tipik janë produktet dhe nënproduktet e qumështit ku disa kompani ulin çmimet nën kosto për të rikuperuar sadopak kostot e prodhimit ose importit të këtyre produkteve.
 
Të dhënat zyrtare tregojnë se norma e fitimit në tregtinë me pakicë ka shënuar kulmin në vitin 2011 në mbi 18 për qind ndërkohë që viti 2013 shënoi marzhin më të ulët të fitimeve të 5 viteve për të cilat disponohen të dhënat. Vetëm 8.6 për qind është marzhi i fitimit në rrjetet e pakicës çka vështirëson situatën financiare të rrjeteve të supermarketeve. Por rritja e konkurrencës së supermarketeve që tashmë janë përhapur kudo, në çdo lagje dhe jo vetëm në qëndrat e organizuara tregtare, ka rritur vështirësitë e qarkullimit të mallit në dyqanet e lagjeve që përveç mungesës së likuiditetit duhet të përballojnë dhe blerjet me lista të produkteve të konsumit bazë. Furnitorët thonë se janë të detyruar t’ju japin mallin dyqaneve dhe të kërkojnë pagesën mesatarisht 15-20 ditë pas lëvrimit të mallit./Monitor
Artikulli paraprakKonjufca: Gjykata Speciale sulmon luftën çlirimtare të UÇK-së
Artikulli vijues“Allahu i marroftë ata që e kanë pranu statusin e nuk janë veteranë lufte” (VIDEO)