Tuaregët kundër intervenimit francez në Mali, propozojnë modelin e Kosovës

Kreu i “Kongresit Kombëtar të Azavada”, lëvizjes kryengritese te tuaregeve në Mali, i ka përgënjeshtruar njoftimet që qarkullojnë se Tuaregët janë të gatshëm të mbështesin veprimet luftarake të Forcave Ajrore Franceze kundër islamistëve në veri të vendit.
Ai e bëri të qartë se Tuaregët mund të vepronin në një front të vetëm me francezët, në qoftë se këta të fundit do të shfaqnin gatishmërinë për bashkëpunim. Por ky tashmë është një shans i humbur:
– François Hollande mori një vendim të nxituar dhe ndërhyri në punët tona të brendshme pa u konsultuar as me ne dhe as me aleatët tanë. Kjo u bë shkas për ndryshimin e politikës tonë dhe planit të veprimeve.

– Domethënë, ju jeni kundër ndërhyrjes ushtarake të Francës?

– Ne nuk pajtohemi me asnjë ndërhyrje të huaj ushtarake të ndërmarrë pa dijeninë tonë, qoftë kjo nga ana e Francës apo trupave të shteteve afrikane. Njerëzit tanë nuk do të tolerojnë kurrsesi që vendet e tjera të zgjidhin problemet tona me mjete ushtarake. Neve na duhen vetëm armë për të luftuar në Azavade kundër islamistëve. Trupat e huaja nuk na duhen aspak këtu.

François Hollande po fut tani trupat franceze në vend sepse ndjek qëllimet e veta të fshehta. Kjo ngjason shumë me vendimin e George W. Bush, i cili ndërmorri intervencionin në Afganistan nën njëfarë preteksti krejtësisht formal, por duke u nisur gjithmonë nga llogaritë e veta. Presidenti francez do ta paguajë shtrenjtë këtë gabim, sepse, si përfundim, ai do të humbasë autoritetin e vet si në Afrikën e Veriut, ashtu dhe në Lindjen e Mesme.

– Si mendoni ju, çfarë mund të bëhet tani për të shpëtuar situatën në Mali dhe për të parandaluar gjakderdhjen?

– Ne që në fillim kemi zhvilluar negociata me Francën dhe Shtetet e Bashkuara nëpërmjet kanaleve tona dhe kemi theksuar në mënyrë mëse të qartë, se nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje të huaj në vend. Çdo gjë duhet të vendoset si në Kosovë. Sepse lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë mundi të merret vesh me SHBA për ta ndarë Kosovën nga Serbia përmes mjeteve politike. Kështu duhet të ndodhë edhe në Mali, ne mbështesim pikërisht këtë rrugëzgjidhje.

Artikulli paraprakKosovë: Arrestohen katër persona për keqpërdorim seksual me të mitur
Artikulli vijuesFranca: Historija e "dhunës dhe të fortit" në vendet muslimane të Afrikës