Turqi: Banka Qendrore kundër Erdogan

Banka Qendrore e Turqisë ndërmori një hap dramatik përsa i përket normave të interesit, në një takim që u zhvillua në mesnatën e së martës duke u gdhirë e mërkurë, dhe ka injoruar edhe kundërshtimin e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, i cili është shprehur kundër rritjes së kostos së huamarrjes.

Banka Qendrore e Turqisë rriti normën bazë të interesit me 425 pikë bazë, në 12% nga 7.75% që ishte më parë, ndërsa norma për marrëveshjet e riblerjes njëjavore, që njihen ndryshe me termin “repo”, u rrit në 10% nga 4.5% që ishte më parë. Edhe interesi për huamarrjen njëditore u rrit nga 3.5% në 8%. Të gjitha lëvizjet e Bankës së Turqisë ishin në masë më të madhe në krahasim me parashikimet e analistëve. Në një sondazh të realizuar nga Reuters, 31 ekonomistët e anketuar parashikonin një rritje të normës bazë të interesit me 2.25%. Lira ka fituar rreth 4% të vlerës përballë dollarit, që nga pasditja e së martës dhe 10% që nga dita e hënë. Në anën tjetër, vendimi i Bankës Qendrore të Turqisë nuk është pritur mirë nga kryeministri Erdogan, i cili preferon një kosto të ulët të huamarrjes edhe për faktin se pas 2 muajsh zhvillohen zgjedhjet. “Unë jam kundër rritjes së normës bazë të interesit. Por sigurisht që nuk kam autoritetin për të ndërhyrë në vendimet e Bankës Qendrore. Janë ata përgjegjës për të stabilizuar monedhën”, deklaroi Erdogan, duke theksuar edhe pavarësinë e bankës./maponline/kohaislame

Artikulli paraprakGeeksphone, telefon me dy sisteme operative
Artikulli vijuesArabia Saudite premton $4 miliardë shtesë për Egjiptin