Turqi, emërohen 28 kryetarë të bashkive nga MPB

Në mesin e personave të shkarkuar nga detyra si kryetar bashkie janë edhe një nga AK Partia, si dhe 3 nga Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP)

Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë ka deklaruar se ka emëruar 28 kryetarë të bashkive në krye të të cilave qëndronin persona nën hetim për pjesëmarrje apo ndihmë ndaj organizatave terroriste si PKK-KCK dhe FETÖ. Vendimi ka ardhur pas VKM-së së qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim në ueb-faqen e kësaj Ministrie thuhet se vendimi bazohet në VKM-në e cila është në vend të një ligji, i miratuar më 1 shtator 2016 dhe që parashikon ndryshime në ligjin e bashkive. Ligji parashikon emërimin e personave në krye të bashkive në rast se kryetarët e tyre janë nën hetim për terrorizëm apo ndihmë ndaj tij, ose janë shkarkuar nga qeveria. Ligji parashikon emërimin e një kryetari dhe anëtarëve të qeverisjes vendore brenda 15 ditëve pas largimit të paraardhësve.

Mbi 28 ish kryetarë të bashkive në juglindje të Turqisë rëndojnë akuzat për ndihmë ndaj organizatave terroriste. Ndërkohë që 24 prej tyre akuzohen dhe janë nën hetim për ndihmë ndaj PKK-KCK, 4 të tjerë janë nën hetim për ndihmë ndaj organizatës terroriste FETÖ.

Në njoftimin e MPB thuhet se në mesin e kryetarëve të shkarkuar dhe atyre të emëruar gjenden 2 kryetarë kryebashkie, 24 kryetar minibashkie dhe 2 kryetarë të bashkive të qytezave.

”Në botëkuptimin e demokracisë dhe shtetit ligjor vullneti i popullit duhet të pasqyrojë tek pushteti vendor. Por nëse bashkitë duke përdorur votën e lirë të popullit dhe vullnetin e tij për të kërcënuar unitetin dhe tërësinë territoriale ndihmojnë organizatat terroriste, shteti është ai që duhet të marrë masa për mbrojtjen e vullnetit të popullit. Taksat dhe burimet financiare të dhëna nga populli nuk mund të shkojnë në dobi të një organizate terroriste” thuhet ndër të tjera në deklaratën e MPB.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se personat e emëruar nga qeveria në krye të këtyre bashkive kanë filluar detyrën e tyre sot në orën 09:00 sipas orës lokale.

Nga ana tjetër thuhet se në mesin e personave të shkarkuar nga detyra si kryetar bashkie janë edhe një nga AK Partia, si dhe 3 nga Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP).

Artikulli paraprakPresidenca në 2011-ën e konsideronte Qakorin pjesë të Kosovës!
Artikulli vijues‘Mafia shqiptare po rrezikon jetën e turistëve me pije letale’