Gjatë procedurës hetimore të personave dhe institucioneve të cilat dyshohet se i përkasin apo janë të afërta me organizatën terroriste FETO/PDY, policia turke ka arritur deri tek gjetjet interesante. Siç raporton Anadolu Agency (AA), policia në vende të ndryshme ka gjetur monedhën prej një dollari amerikan.
Edhe pse kjo praktikë brenda organizatës ekziston prej vitesh, në sipërfaqe doli pas 15 korrikut, pas tentimit të pasukseshëm të grusht shtetit të organizatës terroriste FETO/PDY. Pjesëtarët e kësaj organizate terroriste thonë se kartëmonedhat ua ka dërguar direkt Fethullah Gyleni, udhëheqësi i organizatës terroriste FETO/PDY, i cili banon në Pennsylvania të SHBA-ve. Sipas tyre kartëmonedhat ua kanë ndarë individëve dhe institucioneve të caktuar për fat dhe suksese në punë.
Mirëpo, pasi që policia ka analizuar të dhënat e mbledhura, është paraqitur një sqarim tjetër të monedhës prej një dollari amerikan.
Kartëmonedhat e kontestuara u gjetën në qytete të ndryshme tek oficerët, policët, ushtarakët, gjykatësit dhe profesorët. Ajo me çka janë dalluar kartëmonedhat ishte numri serik.
Pikërisht këtu policia dalloi disa elemente të çuditshme. Në fakt, tek të gjithë të arrestuarit që dyshohet se janë të ranguar lartë në kierarkinë e organizatës janë gjetur kartëmonedha me numra serik që fillojnë me “F”. Tek të arrestuarit tjerë që supozohet si kanë patur tjetër pozicione më të ulëta në kierarkinë, janë gjetur numrat serik që fillojnë me “J” ose “C”.
Ushtarët besnikë të organizatës terroriste FETO/PDY tentuan të kryejnë grusht shteti në Turqi, të premten më 15 korrik, dhe me këtë rast u vranë 246 persona dhe u plagosën 2.185 të tjerë, shumica e të cilëve ishin civilë.
Tentimi i grusht shtetit u pengua, pasi qindra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Stambollit, Ankarasë dhe pjesë të tjera të vendit, duar bosh dhe me guxim të madh qëndruan para tankeve dhe autoblindave me të cilat puçistët u përpoqën që të përmbysin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.