Turqia mbështetë pranimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave

PRISHTINË (AA) – Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Turqisë, Cenap Asci, dje dhe sot po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga homologu i tij kosovar, Lulëzim Rafuna dhe me të cilin kanë biseduar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna theksoi se gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Turqisë, kanë biseduar për progresin që kanë arritur të dyja këto institucione, por edhe sfidat që i presin në të ardhmen, sidomos Doganat e Kosovës.

“Biseduam edhe për implementimin e marrëveshjes bilaterale që e kemi mes të dy doganave, që është lidhur mes dy qeverive tona dhe në bazë të asaj marrëveshjeje ne kemi një varg obligimesh, si obligimet për shkëmbimin e të dhënave që na ndihmon shumë në luftimin e evazionit fiskal. Është një bashkëpunim i shkëlqyeshëm dhe tash jemi pajtuar që t’i krijojmë edhe grupet e përbashkëta teknike, ku në baza të rregullta do të ulemi dhe të shohim se sa ka ende hapësirë për të bashkëpunuar në fushën e shkëmbimit të dhënave, në mënyrë që ta lehtësojmë tregtinë e ligjshme dhe ta luftojmë së bashku evazionin fiskal”, tha Rafuna në konferencën për media, të mbajtur pas takimit të sotëm në Drejtorin e Përgjithshme të Doganave të Kosovës.

Ai theksoi me homologun e tij nga Turqia, Cenap Asci, kanë diskutuar edhe për shkëmbimin e përvojave dhe trajnimin e stafit doganor të Kosovës nga oficerët doganor të Doganës së Turqisë e cila ka një sektor shumë të avancuar të trajnimeve. Po ashtu, sipas Rafunës, mysafiri nga Turqia ka premtuar ndihmë për Kosovën, gjatë procesit të anëtarësimit në asociacionet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Cenap Asci Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Turqisë, Cenap Asci u shpreh i lumtur për vizitën dhe theksoi se Udhëheqësit e Doganës së Kosovës dhe Doganës së Turqisë kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm , ndërsa gjatë kësaj vizite është diskutuar për avancimin dhe zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy institucioneve.

Ai në veçanti theksoi faktin se, Turqia ishte në mesin e shteteve të para në botë dhe e para në Ballkan që, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka pranuar shtetin e ri të Kosovës, të lirë dhe të pavarur, ndërsa tash i gëzohet zhvillimeve pozitive që po i vëren.

“Dëshiroj të theksoj edhe një herë se jemi shumë të lumtur kur, nga dita në ditë, po shohim ndërtimin, zhvillimin dhe rritjen e Kosovës. Nga aspekti kulturor dhe historik, dy shtetet tona janë vende vëllazërore dhe dëshirojmë që ky raport të rritet edhe në fushën e tregtisë, që është edhe një nga prioritetet tona. Duke synuar këtë, është e nevojshme që të intensifikohet bashkëpunimi në mes të dy Doganave, qoftë në aspekt të këmbimit të dhënave, trajnimeve apo shkollimit të personelit kosovar, përmes këmbimit dhe përcjelljes së përvojave tona tek kolegët tanë kosovarë, por edhe duke i marr dhe përfituar nga përvojat të cilat i kanë ata”, tha Asci.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Turqisë tregoi se gjatë takimeve të djeshme dhe të sotme, me drejtorin Rafuna kanë biseduar dhe qartësuar shumë çështje, duke theksuar se marrëveshjet e arritura do të jenë të dobishme dhe produktive për qytetarët e të dyja shteteve, ndërsa përmes avancimit të bashkëpunimit të Doganave të Kosovës dhe Turqisë, do të lehtësohen marrëdhëniet tregtare dhe do të ndikohet në rritjen e bilancit tregtarë ndërmjet të dyja vendeve.

Asci premtoi përkrahje jo vetëm në këtë drejtim dhe shkollimin e trajnimin e oficerëve doganor kosovar, por edhe mbështetje të pa rezervë, në proceset e integrimit të Doganës së Kosovës në asociacionet ndërkombëtare.

“Doganat e Turqisë do të ndihmojnë dhe do të përkrahin Kosovën edhe në proceset e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare dhe Organizatën Botërore të Doganave”, tha Asci.

Artikulli paraprakMerkel: Vendimi për mbylljen e kufijve në vendet e Ballkanit është i njëanshëm
Artikulli vijuesMinistri kroat i Mbrojtjes viziton Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz