Po vazhdon raundi i tetë i dialogut Kosovë – Serbi

Ndryshe nga herat e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Në Bruksel është duke u zhvilluar rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i përbashkët i kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën praninë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ka nisur rreth orës 14:00.

Në një adresim për gazetarët në Bruksel, pak minuta më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është pjesë e ekipit negociator të Beogradit, ka thënë se tash për tash nuk ka ndonjë përparim.

Takimit Thaçi-Daçiq i kanë paraprirë bisedimet dypalëshe të baroneshës Ashton me delegacionet e të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe një herë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një prononcim në gjuhën angleze, Thaçi ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi para takimit me baroneshën Ashton.

Një ditë më parë, kryediplomatja evropiane i është drejtuar opinionit me një deklaratë për media, ku ka shfaqur bindjen se palët janë shumë pranë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, ka përsëritur sot qëndrimin e baroneshës.

“Ajo beson se marrëveshja është shumë pranë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Po ashtu ka thënë se, kur kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike. Zonja Ashton beson se delegacionet që janë sot në Bruksel, do të sillen në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për interesat e popullit që përfaqësojnë dhe për një të ardhme më të mirë për të”, ka cituar Kocijançiq deklaratën e zonjës Ashton.

Ndryshe nga herat e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiq, para takimit të sotëm.

Rëndësinë e arritjes së marrëveshjes e kanë ritheksuar po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.

“Shpresoj që të përparojnë. Do të doja të arrihej marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj se ajo do të ishte mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Kosovë-Serbi, aktualisht janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, që në Beograd njihet me emrin “bashkësi”.

Me këtë mekanizëm është paraparë të vihet normaliteti në pjesën veriore, ku banorët lokalë serbë kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi, që nga paslufta, financon strukturat e veta paralele.

Palët kanë mospajtime rreth përgjegjësive të këtij asociacioni, pasi Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton çdo kompetencë ekzekutive për të.

Rezultatet nga dialogu Kosovë-Serbi shihen si esenciale për përparimin e dy vendeve në procesin e integrimit evropian.kohaislame

Artikulli paraprakSilva: Milani na ka mësuar si mposhtet Barca
Artikulli vijuesTë punësuarit pa sigurim jetësor