Falë punës së përbashkët të shkencëtarëve turq është prodhuar gjak artificial plotësisht vendor.
Fakulteti i Shkencave dhe Letërsisë i Universitetit Osmangazi (ESOGÜ) në Eskişehir i kishte paraqitur Këshillit të Turqisë për Kërkimet Shkencore dhe Teknike (TÜBİTAK) një projekt mbi prodhimin e gjakut artificial me bazë hemoglobinën.
Prof. Asoc. Adnan Ajhanxhi (Adnan Ayhancı), Shef i Departamentit të Biologjisë së Përgjithshme pranë Fakultetit të Shkencave dhe Letërsisë (ESOGÜ), tha se kanë përfunduar me sukses punimet paraprake për prodhimin e gjakut artificial me bazë hemoglobine, plotësisht me mundësitë vendore, në kuadër të propozimit që departamenti që drejton i kishte bërë TUBUTAK-ut nën emrin “Projekti i Kërkimeve Multidisiplinare”.
Ky projekt ka si synim që të përballojë nevojat për gjak, tha akademiku Ajhanxhi, duke shtuar se në projekt marrin pjesë 8 kërkues e studiues kryesorë.
-“Gjakun artificial e prodhonin shumë vende në botë. Edhe ne arritëm që prodhimin e gjakut artificial ta realizojmë në Turqi. Gjaku që ruhet në Bankat e Gjakut nuk mund të mbahet për një kohë më të gjatë se një muaj, pasi prishet menjëherë. Kurse gjakun artificial mund ta ruajmë edhe deri në një vit pas datës së prodhimit”, – sqaroi Ajhanxhi.
-“Gjaku artificial mund të përdoret edhe në raste nevoje dhe në ato urgjente dhe përshtatet me çdo grup gjaku”, cilësoi Prof. Asoc. Ajhanxhi dhe vijoi:
-“Gjakun artificial mund ta prodhojmë në sasi që dëshirojmë dhe me një shpejtësi edhe më të madhe. Është një zhvillim shumë i rëndësishëm që ta sigurojmë me mundësitë tona stokun e gjakut me bazë hemoglobine, për të cilin ka nevojë vendi. Përveç kësaj ky gjak artificial që njerëzit e marrin me rrugën e injektimit me kalimin e kohës del nga trupi me anë të rrugëve të natyrshme”./trt/