U promovua libri "Periodiku Shqiptar Islam (Gjysma e parë e shekullit XX)"

Në prani të shumë studiuesve e dashamirëve të librit, ku qe i pranishëm edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpunëtor, nënkryetari i Komitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu si dhe të ftuar të tjerë, sot u bë promovimi i librit “Periodiku Shqiptar Islam (Gjysma e parë e shekullit XX)”, të autorit dr. Fahrush Rexhepi të botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame”.

Në fjalën përshëndeste, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ndër të tjerat tha: “Prania jonë sot këtu është para së gjithash, nder, respekt dhe obligim ndaj fjalës së shkruar, dhe mundit e djersës së autorit për shkrimin e këtij libri. Ndaj në Islam nuk ka asgjë më të shenjët se studimi, leximi, marrja me dije e shkencë në të gjitha fushat. Njeriun nga vetë natyrshmëria e tij gjithherë e tërhoqi dëshira për të lexuar e studiuar, në mënyrë që t’i lehtësoi jetën vetës dhe të njoh vetën, të kaluarën e tij, sukseset e dështimet, padrejtësitë e mizorit e shumta të ushtruara mbi të qenurit njeri. I nisur nga ky parim edhe autori i këtij libri, Dr. Fahrush Rexhepi iu qasë kësaj fushe që përmes fakteve historike, të argumentoi e vërtetoi kontributin e hoxhollarve –atdhetarëve Islam, kontribut i cili gjatë sistemit komunist ateist qëllimisht ishte injoruar, pa asnjë të drejt.” Më tutje myftiu Tërnava duke folur për librin në fjalë tha: “Studiuesi Dr. Fahrush Rexhepi, pas një pune të palodhshme tuboi argumente e fakte të shumta të cilat vërtetojnë se shumë nga ylemaja shqiptare kishte dhënë kontribut të madh për çlirimin e vendit qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit tash e 135 vjet më parë. Këtu, Dr. Fahrush Rexhepit shohim përsiatjet dhe sfidat e tij, duke filluar nga vet studimi i cili duhej të ishte i pajisur me virtytin e lartë moral për të thënë të vërtetën historike. Moral i cili pastron shpirtin e mendjen në raport me realitetin dhe fushën të cilës iu qasë vetë autori i këtij libri, për ti ngritur në vendin e merituar personalitetet fetare të dëshmuara e të respektuara të kombit tanë, vend i cili afër një shekulli ishte mohuar në historiografinë tonë. Autori këto “mistere dhe enigma” i bëri që ato të shoshiten, hulumtohen e studiohen pa paragjykim, e qëllim të njëanshëm”. Ndërkaq dr. Milazim Krasniqi duke referuar për librin tha: “Libri “Periodiku shqiptar islam” i autorit Fahrush Rexhepi, sjellë në vëmendjen e publikut një temë, e cila në kontekstin e një praktike që ka imponuar diskontinuitetin me vlerat islame ndër shqiptarë, ka mbetur e pastudiuar dhe madje e injoruar. Prandaj, trajtimi i kësaj teme është një punë fisnike, në përpjekjet për ta mbrojtur kujtesën tonë fetare, kulturore e kombëtare nga reduktimi i shumësisë së vlerave dhe nga zvetënimi që prodhon ky reduktim. Meqë gjeneza e librit është nga një projekt studimor akademik, ky fakt e ka kornizuar studimin brenda një standardi që vlen zakonisht për projekte të kësaj natyre. Megjithatë, disa aspekte të tematikës janë shqyrtuar në një mënyrë më të çlirët, me çka studimi i ka shpëtuar konvencionit, që di të ngulfatë trajtimin më të shpenguar të tematikës. Kjo ka ardhur edhe për shkak të vokacionit dhe të profesionit të tij”

Ndërsa, referuesi tjetër studiuesi dr. Jusuf Osmani u shpreh, “Studiuesi e krijuesi Fahrush Rexhepi me punën e tij hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i nënshtrohet fakteve dhe ngjarjeve të kohës nëpërmjet të dhënave faktografike për periodikun islam shqiptar në trojet dhe diasporën shqiptare. Të dhënat i japin veprës një shkëlqim në aspektin shkencor dhe profesional, duke e futur autorin në rangun e studiuesve serioz dhe librin në kuadër të botimeve me vlerë të veçantë. Prandaj, konsideroj se autori me këtë libër ka arritur që të jap kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve e botimeve të burimeve me të dhëna të reja. Shtypi islam i kohës ishte në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, kuptohet edhe në shërbim të çështjes fetare. Në këtë vepër janë trajtuar edhe personalitetet e njohura fetare të kësaj kohe të cilët ishin edhe personalitete të njohura në lëvizjet kombëtare, arsimore, fetare etj. Në emër të KMSH, përshëndeti e përgëzoj nënkryetari Bujar Spahiu, i cili vlerësoj punën e bërë nga autori Fahrush Rexhepi për ndriçimin e kontributit të parisë islame dhe shtypit islam në gjuhën shqip për kombformim e shtetformim.

|www.bislame.net|kohaisalme

Artikulli paraprakPse shkurorëzimi është bërë dukuri?
Artikulli vijuesNë Uashington ndërtohet Xhamia dhe Qendra e kulturës Islame