Thun, 29 gusht- Javën që lamë pas me indinjatë të thellë mësuam për rastin e një vajze shqiptare të klasës së 9-të nga qytetit i Thunit, në kantonin e Bernës, e cila ishte dëbuar nga mësimi nga ana e mësuesit të klasës dhe e drejtorit të shkollës për shkak të shamisë së saj.
Fillimisht vajzës në fjalë dhe familjes së saj i shprehim ngushëllimet tona për këtë akt të padëshirueshëm dhe të pahijshëm për një shtet demokratik siç është Zvicra.
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër e gjykon këtë rast dhe rastet e tjera të ngjashme kudo që të ndodhin, pasi ato bien ndesh me të drejtën elementare të çdo fëmije që mësimin fillor ta marrë në shkollat publike duke e jetuar në të njëjtën kohë dhe besimin që ka.
Ne, në të njëjtën kohë, e përshëndesim përzemërsisht gatishmërinë dhe angazhimin e Këshillit të Qytetit të Thunit, që këtë rast ta mbyllë në frymën e shpirtit demokratik të shtetit ku jetojmë, me çka ia mundësoi vajzës vijimin e mëtejmë të mësimit. Me këtë rast na brengos fakti që ky vendim i Këshillit komunal të Thunit është marrë vetëm për këtë rast, duke lënë hapësirë të ndërhyjë edhe në rastet tjera veç e veç në qoftë se paraqiten, duke mos lëshuar një vendim gjithëpërfshirës për të gjitha rastet tjera të kësaj natyre.
Ia kujtojmë opinionit publik se shamia nuk është thjesht vetëm një simbol fetar, që mund të krahasohet me kryqin ose me ndonjë simbol të ndonjë besimi a ideologjie tjetër, porse në rend të parë është një obligim fetar që mbështetet në Kur’an, në Sunnet dhe në traditën mbi 14 shekullore të fesë islame dhe ne kërkojmë që kjo kështu të trajtohet dhe të respektohet nga institucionet publike dhe private.
Arsyetimin kinse bartja e shamisë në shkollat publike krijon shoqëri paralele e konsiderojmë si tendencioz dhe jo të realtë, duke marrë parasysh numrin e paktë të vajzave që bartin shamitë nëpër shkolla. Largimi i vajzave me shami nga shkollat publike do t’i detyronte ato të drejtohen kah shkollat private që do t’ua mundësonin atyre praktikimin e fesë me të gjitha kushtet. Pikërisht këto shkolla private pastaj do të krijonin shoqëritë paralele të padëshirueshme për shoqërinë e madhe zvicerane.
Mbetemi me shpresën se rastet e këtilla nuk do të përsëriten në të ardhmen dhe se të gjithë fëmijëve myslimanë në Zvicër do t’u mundësohet ndjekja pa pengesa e mësimit dhe ushtrimi i besimit të tyre nëpër shkollat publike, për të cilat kontribuojnë edhe prindërit e tyre përmes pagesës së tatimit dhe të dhënave të tjera të obligueshme.
Ne si Union shprehim gatishmërinë tonë që në raste të tjera të kësaj natyre t’u dalim në ndihmë të gjitha atyre vajzave dhe familjeve të tyre përmes këshillave dhe rekomandimeve tona konform të drejtës aktuale zvicerane.