Një ushtar i Ukrainës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në pjesën lindore të këtij vendi, që është nën kontroll të kryengritësve, megjithë marrëveshjen e armëpushimit.
Ky armëpushim, në masë të madhe, është respektuar prej fillimit të muajit shtator, kështu që ka krijuar mundësi për të dy palët që t’i tërheqin armatimet.
Ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Stepan Poltorak, tha se sulmi ishte bërë dje, kur separatistët kishin hedhur garanata kundër ushtarëve të Ukrainës, afër qytetit Donjeck, që është nën kontroll të kryengritësve.
Prej prillit të vitit 2014, kur kanë filluar luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe kryengritësve prorusë në rajonet lindore, Donjeck dhe Luhansk, janë vrarë më se 7,900 vetë.