Unë jam ai turisti rus, që bleva vdekjen në Shqipëri!

Nga Denis Dyrnjaja

Një ditë po bisedoja me gruan se ku do t’i bënim pushimet. Vajza jonë e vogël, na dëgjoi ndërsa luante dhe u gëzua shumë kur mësoi se do të niseshim së shpejti për pushime. Nënë e bijë, pa fshehur entuziasmin përmenden, menjëherë çështjen e biletave për në Greqi, sepse Turqia nuk ishte një opsion i mirë këtë vit. Trazira atje e ku di unë. Filluan të bënin krahasimet me njëra tjetrën ku ishte në mirë plazhi dhe ushqimi dhe në fakt buzëqeshja dhe gëzimi i tyre shtangu kur u përmend një emër që ato se kishin dëgjuar. Këtë vit mendoj që të shkojmë për pushime në Shqipëri – u thashë. Me ka sugjeruar Dima, një mik i imi. Thotë se është shumë bukur në jugun e këtij vendi.

Ka plazhe të mrekullueshëm, natyrë e bukur, ushqim të mirë dhe njerëz mikpritës. Një copë herë, hutimi i padijes për vendin e panjohur na përhumbi të treve, por shpejt fantazia dhe dëshira për pushime ja la vendin optimizmit. Natasha insistoi për Greqinë, kishim qenë disa herë atje dhe gjithçka ishte siç ne dëshironim, por dëshira (kryesisht e imja), për të parë një vend ndryshe ishte më e madhe sesa rutina e zakonshme e pushimeve që kishim bërë deri një vit më parë.

Pas një “Ok” të rrëmbyer dhe të çuditshëm mes nesh, nisëm të diskutonim datën se kur do të niseshim. Fillim gushti ishte varianti i duhur dhe ashtu bëmë. Biletat, në xhep, disa çanta ngarkuar plot dhe u nisëm drejt vendit me bukuritë e paramenduara. Mbërritëm dhe lumturia na pushtoi të treve edhe pse ishim lodhshëm nga fluturimi, kur pamë mrekullinë e natyrës, e cila bashkonte malin dhe detin në të njëjtin vend. Të tre ishim të surprizuar e kjo jo për shkak të detit ngjyrë blu të thellë, por për malet që hasëm rrugës, sepse në qytetin ku jetojmë, nuk kemi male, madje Rusia është një vend kryesisht pa male dhe kjo na mahnit, sepse kishim parë diçka që nuk e kemi në vendin tonë. Mbërritëm në hotelin e rezervuar.

Nuk ishte saktësisht ashtu siç ne dëshironim të ishte, siç ishim mësuar në Greqi, apo Turqi ku të bardhës i thonë të bardhë e të zezës i thonë të zezë. Diçka tjetër kishim paramenduar dhe diçka tjetër doli në realitet. Bënte çudi fakti që kërkoje tjetër gjë dhe të sillnin diçka të përafërt me të ose të ndryshme por që të thonin se kjo është ajo që kërkove.

Por qejfi që ishim tashmë zyrtarisht me pushime e mposhtte zhgënjimin e gjërave si këto, apo të tjerave që këtu ishin të zakonshme, si ikja e energjisë herë pas here, britma e zhurma pranë dhomave ku pushonin, çmime të ndryshme nga ato që shkruheshin në menu etj. Po ç’rëndësi kishin këto në fund të fundit, ne na pëlqente mali i Llogorasë sikurse quhej. Por ne fakt me gëzimin dhe dëshirën e malit ishim buzë detit. Nuk donim të humbnim asnjë çast nga rrezet e diellit të artë dhe të tre nxitimthi ja behëm në shezlonë. Ajo pasdite e parë dhe dita pasardhëse kaluan mrekullisht mirë. Det dhe diell për ne është mrekullia vetë. Në ditën e tretë mëngjesi na gjeti herët në bregdet me Natashën, gruan time dhe Mashën, vajzën time të vogël.

I ri, kisha qenë disa herë pretendent për medalist në not, me skuadrën e shkollës, e pastaj në ushtri, por zhytja ishte ajo që më pasiononte në ujë. Vesha lopatat dhe u futa në det me lutjet e Mashës për ta marrë me vete. I thashë këtë herë do të qëndrosh me nënën tënde dhe herën tjetër do të të marr të lahemi bashkë. E zhgënjyer disi, ajo më ndoqi me sy ndërsa hyja në det. Një motor uji me një djalë që e drejtonte më shoqëroi për një copë herë në det, ndërsa unë notoja dhe ai bënte zig zage, si ato të një shpendi, që në pamundësi për të folur bën lëvizje të çuditshme në ajër për t’i rënë në sy femrës që dëshiron të çiftohet.

Këtë pasazh e kisha parë në dokumentarë dhe m’u asociua aty për aty me “djalin shpend”, që megjithë zhurmën dhe mozaikun e lëvizjeve që bënte me motorin e tij të ujit, nuk ja doli të tërhiqte vëmendjen e dikujt në breg, përveçse shtoi trysninë dhe rivalitetin mes gjinisë dhe shpejt u bënë tre “shpendë” të tillë deti. Unë vazhdoja penetrimin tim ujor ndërsa ata performancën e çuditshme. Pasi kisha notuar një copë herë, Natashën dhe Mashën, nuk i shquaja dot më me sy ndoshta dhe ato mua. Ishim ndarë për pak në një farë mënyre dhe ndërsa sytë rendin mes ujit të kristaltë për të parë mrekullinë e tij të brendshme një zhurmë e fortë dhe që afrohej me shpejtësi kumboi veshët e mi.

Nuk pata kohë të mendoj nëse ishte një motoskaf, apo një motor uji nga ata që kisha lënë pas më parë, por ndjeva se diçka më kaloi sipër dhe pata një ndjesi sikur thikat mu futen në trup dhe një pjesë e fortë me goditi fort në kokë. U përhumba për një çast por uji i ftohtë më kthjelloi mendjen për të kuptuar se isha në probleme të mëdha fizike dhe pamundësi për të bërë ndonjë lëvizje. Jeta më kaloi në pak sekonda si një film me xhiro të shpejta në trurin tim, që po fikej sërish për të mos u ndezur më. Doja vetëm t’i thoja ca fjalë Natashës, por nuk ishte aty, doja të puthja për herë të fundit Mashën, por nuk e mora me vete. Mes përhumbjes se vetëdijes dhe realitetit dëgjoja zëra por nuk ishte, as Natasha, as Masha.

Doja gruan dhe vajzën time t’i thoja vetëm më falni që ju solla këtu, për t’ju lënë vetëm përgjithmonë, por ato nuk ishin. S’e kisha menduar se kthesa e papritur e pushimeve do të ishte dhe kthesa e fundit për jetën time dhe kthesa më trishtueshme për familjen time. Ne nuk e dinim se trazira mendore e njerëzve në këtë vend, është e njëjtë si në tokë dhe në det dhe se ndryshe nga çdo vend tjetër këtu paska një varrezë detare, ku pushuesit si ne blejnë me para fatin e tyre të zi. Lamtumirë e bukura ime Natasha, lamtumirë e shtrenjta ime Masha, më falni që ju lashë pa pritur, sepse një njeri me tru shpendi ma preu jetën në mes. Nuk e dija që në Shqipëri ka qenie të tilla. Ky ishte gabimi im i fundit. Lamtumirë!

Artikulli paraprakFoto/ Pronari i “Leicester Cityt” shpërblen futbollistët me nga një super veturë
Artikulli vijuesKurseni kur vjen puna tek veshjet