UNICEF: Po shkatërrohet e ardhmja e fëmijëve sirianë

UNICEF-i ka theksuar se gati gjysma e katër milionë njerëzve në Siri që ka nevojë për ndihmë, janë të mitur, ndërsa një e katërta e tyre janë më të vegjël se mosha pesëvjeçare.

Rreth 800 mijë fëmijë nën moshën 14 vjeçe janë zhvendosur nga konflikti, ndërsa më shumë se gjysmë milionë fëmijë janë refugjatë në vendet fqinje, thuhet në raportin e kësaj organizate.

“Miliona fëmijë në Siri shohin se si e ardhmja e tyre zhduket në rrënoja dhe shkatërrime”, tha Drejtori i UNICEF-it, Anthony Lake.

Ai shtoi se konflikti hyri në vitin e tretë dhe se shtohet rreziku që të humbet gjenerata e tërë e fëmijëve sirianë.

Raporti thekson se një në pesë shkolla në Siri është shkatërruar, e dëmtuar ose përdoret si strehë për familje të zhvendosura. Në Aleppo vetëm gjashtë për qind e të gjithë fëmijëve shkojnë në shkollë.

“Një numër i madh i fëmijëve janë duke vuajtur nga traumat psikologjike, sepse ata kanë parë vrasjen e anëtarëve të familjes, për shkak të ndarjes nga prindërit, ose janë të tmerruar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme,” tha Lake.

Kjo agjenci e OKB-së tha se nuk ka burime të mjaftueshme për të ndihmuar fëmijët në nevojë, duke shtuar se nëse nuk marrin më shumë mjete, deri në fund të marsit do të pezullojnë dërgimin e disa ndihmave të domosdoshme për mbijetesën e fëmijëve.

UNICEF-i ka njoftuar se deri më tani ka marrë vetëm 20 për qind të totalit prej 195 milionë dollarëve që kanë kërkuar për fëmijët dhe gratë e goditura nga kriza në Siri dhe në vendet përreth. Agjencia paralajmëron se pa fonde shtesë duhet të ndalin sigurimin e ujit të pijshëm dhe ndihmës emergjente mjekësore. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakVatikan: Papa i ri ende nuk zgjidhet ngase nga Kapela Sistine del tymi i zi
Artikulli vijuesSiri, masakra të reja në lumin Queiq