Universiteti i Prizrenit do të mbajë emrin e Ukshin Hotit

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, 83-ten me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria, njoftohet nëpërmjet një komunikate, në mënyrë unanime ka mbështetur propozimin e kryeministrit që Universiteti Publik i Prizrenit të emërtohet me emrin e intelektualit të shquar Ukshin Hoti.

Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e hapjes së mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës i ka uruar mirëseardhje dhe rikthim të suksesshëm në detyrat dhe përgjegjësit qeveritare zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Në fjalën e hyrjes, kryeministri ka njohur kabinetin qeveritar me takimin e zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fogh Rasmunsen dhe këshillin e NATO-s. Temë e bisedimeve, në këtë takim, kanë qenë zhvillimet e sigurisë në rajon dhe për angazhimet dhe vizionin e Qeverisë së Kosës për zhvillimet në veri të vendit.

“Qëndrimi i të gjitha institucioneve të Kosovës është dhe do të mbetet i pandryshuar. Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë statuse speciale, nuk do të ketë statuse të veçanta dhe as autonomi për pjesë të veçanta të vendit tonë. Do të jetë një Kosovë e integruar dhe në të cilën të gjithçka komunitetet do të zhvillojnë lirshëm të drejtat e tyre dhe identitetin e vet”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Temë e takimit të sotëm të kryeministrit Hashim Thaçi me sekretarin Rasmunsen dhe me ambasadorët e këshillit të NATO-s ka qenë edhe e ardhmja e FSK-së. Kryeministri ka theksuar se pavarësia e plotë edhe nënkupton edhe përgjegjësi të plota të institucioneve të Kosovës.

“Gjatë këtyre ditëve është edhe 11 vjetori i masakrës së Srebrenicës. Shprehim ngushëllimet tona për të gjitha ato viktima të pafajshme të kësaj masakre. Mendojë se Serbia edhe në këtë rast duhet të reflektojë për përgjegjësit dhe pasojat e luftërave dhe konflikteve të nxitura në rajon”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Duke folur për shqetësimet e ngritura për vazhdimin e dialogut teknik me Beogradin, kryeministri ka shprehur qëndrimin e Kosovës se së pari duhet të respektohen dhe implementohet të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, dhe pastaj të vazhdohet me temat tjera të dialogut.

Qeveria ka miratuar Rregulloren për strukturën organizative të njësive profesionale për zjarrfikje dhe shpëtimin. Me këtë Rregullore përcaktohen strukturat organizative si dhe kriteret themelore të organizimit dhe funksionimit të këtyre njësive. Arsyeja e nxjerrjes së kësaj rregulloreje është krijimi i instrumenteve të nevojshme juridike për implementimin e Ligjit për Zjarrfikje dhe shpëtim.

Në mbledhjen e sotme, është miratuar vendimi për shpronësimet me interes publik të pronave të paluajtshme në trasenë e ndërtimit të rrugës nacionale N9, Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë. Sipas vendimit, Departamenti i Shpronësimeve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Kuvendet Komunale në territorin e të cilave gjinden ngastrat për shpronësim, do të ndërmarrin të gjitha masat për implementimin e këtij vendimi.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, zëvendësministri i Drejtësisë është emëruar Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje.

Koordinatori do të udhëheqë Grupin Ndërministrorë Kundër Dhunës në Familje.koha/kohaislame

Artikulli paraprakIrinej: Nuk e dorëzojmë Kosovën
Artikulli vijuesMjete me dobi për jetë me lumturi