UP bllokon 11 diploma, dyshohet për falsifikim

Pas suspendimit nga puna të tre asistentëve të UP-së dhe shkarkimit të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i UP-së kanë vazhduar me masa të tjera ndëshkuese ndaj të dyshuarve për keqpërdorime.
Universiteti i Prishtinës ka vendosur që t’i bllokojë diplomat e 11 të diplomuarve në UP, me dyshimin për falsifikim, dhe të njëjtat t’i nënshtrohen një procesi të hollësishëm verifikimi.

Në mesin e atyre që u janë bllokuar diplomat janë: Gazmend Maliqi, Esat Belaj dhe Kemajl Gashi, asistentë në Fakultetin e Mjekësisë, pas suspendimit të dy të parëve, angazhimi i mëtutjeshëm i ndërpritet edhe Kemajl Gashit.

Në këtë mes është edhe Arian Janova, asistent në Fakultetin Filozofik, Leonard Bytyqi, mjek në Suharekë, Albion Haxhijaha, mjek në QKUK, Arton Hoti, mjek në Gjakovë, si dhe katër të diplomuar të tjerë në fakultete të ndryshme të UP-së.

Njoftohet se rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, tashmë ka krijuar një komision, i cili do të merret me verifikimin e këtyre diplomave, dhe Rektorati i UP-së shumë shpejt do të dalë me vendim nëse do t’i anulojë ato. /Telegrafi/

Artikulli paraprakHalalTrip – Turizmi Hallall: Hotele dhe udhëtime për muslimanët
Artikulli vijuesBritanikët dhe amerikanët përgjonin BE-në, Izraelin, Gjermaninë, korporatat, humanitarët…