UP dështon me studimet e doktoratës

Universiteti i Prishtinës nuk ka kapacitete të organizojë studimet e doktoratës. Madje, as dy fakultetet dhe dy programe në dy fakultete tjera të akredituara nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse janë publikuar rezultatet apo kanë filluar ligjëratat, edhe pse për këto programe të lejuara studimet është dashur të mbahen tash e sa kohë.

UP që funksionon si universitet prej 40 vitesh me 17 njësi akademike arrin të organizojë studimet vetëm në nivelin bachelor dhe master. Rektori Ibrahim Gashi, është duke ndjekur ritmin e paraardhësve të tij.

Gjatë mandatit të udhëheqjes së ish rektorit Enver Hasani, UP u bë me rregulloren që mundësonte çdo tri vjet të organizohen studime të doktoratës.

Me ardhjen në krye të UP-së rektori tjetër Mujë Rugova pat deklaruar se në UP për çdo vit ka nevojë të organizohen studime të doktoratës. Megjithëse, në dy vitet e fundit të mandatit të tij u paralajmërua se këto studime do të fillojnë prej muajit në muaj dhe se janë kushtet dhe kuadri për t’u organizuar studime të nivelit më të lartë shkencor.

Por, as kjo nuk ndodhi. Rugova u pat arsyetuar se po i bëjnë pengesa sidomos dekanët.
Për dallim nga ai, rektori Gashi nuk është deklaruar fare për studimet e doktoratës. Ndonëse, gazeta ka kërkuar përgjigje për (mos) fillimin e këtyre studimeve në programet e akredituara dhe për (mos) akreditimin edhe të tjera programeve, zyrtarisht askush nuk është deklaruar nga UP-ja.

Ardian Kastrati, përgjegjës për informim në Rektorat, i cili është kontaktuar nga gazeta një javë më parë, nuk ka kthyer përgjigje. Kastrati ka thënë të premten se pyetjet e gazetës janë përcjellë tek prorektorët, megjithëkëtë edhe pas kësaj askush nga Rektorati nuk është deklaruar deri ku ka shkuar procesi i këtyre studimeve.

Menaxhmenti i ri i UP-së ishte përcaktuar nga ministria që të shpallte rezultatet e konkursit të doktoratës në të cilën u paraqiten rreth 1000 konkurrent për doktoratë, duke iu nënshtruar klasifikimit në të gjitha programet që UP lejoi me konkurs, por që nuk e din nëse janë pranuar apo jo në studime, apo kur do të nisin këto studime.
Në shtator të këtij viti Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të arsimit, Ramë Buja, pat thënë se publikimi i rezultateve të doktoratës do të bëhet nga menaxhmenti i ri. Sipas tij rezultatet janë duke u vonuar për shkak se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është në vazhdim. UP-ja dhe MASHT-i u patën paralajmëruar nga Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) se pa akreditim nuk ka doktorata.

Doktoratën në UP, kjo agjenci e lejoi mund të fillojë vetëm në Fakultetin Ekonomik, Juridik, një program në Mjekësi dhe departamentin e Historisë në Fakultetin Filozofik që kanë marrë akreditim. Agjencia pat kritikuar se fakultetet tjera brenda UP-së nuk kanë dorëzuar aplikacionet për akreditim të programeve të doktoratës.

“Ne nuk kemi marrë aplikacione për akreditim të shumë programeve të doktoratës. Ka pasur një mos koordinim ndërmjet njësive të UP-së dhe menaxhmentit qendror për përgatitjen e aplikacioneve, në dy gjuhët, si atë shqipe dhe angleze si dhe sjelljes së tyre në AAK.

Por, ka pasur raste kur aplikacionet janë sjell dhe ne i kemi rrëzuar për shkak të mungesës së kushteve dhe mosplotësimit të standardeve”, ka qenë përgjigja që kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC), Ferdije Zhushi-Etemi dha për doktoratën në UP duke këshilluar kështu UP-në të përmirësohej.

Megjithëkëtë, as në shtator, tetor dhe nëntor nuk u fol për studimet e doktoratës. Dhe nuk flitet nga ana e Rektoratit. As në faqen elektronike të UP-së nuk është vënë ndonjë njoftim apo publikim i rezultateve të doktoratës për programet e akredituara dhe njoftim për studentët e programeve tjera të paakredituara, e të cilët i janë nënshtruar vlerësimit, shkruan “Zëri”.

Në periudhën e pas luftës asnjëherë nuk pati konkurse të rregullta për doktoratë në këtë universitet. Ndërsa, prej vitit 2009 në UP nuk është shpallur konkurs për këto studime deri në fillim të këtij viti, i cili po vazhdon të zvarritet ende.kohaislame

Artikulli paraprakPo vjen Ibra, goli në 180 km në orë
Artikulli vijuesJaponi, shembet tuneli, shtatë viktima