Ushtria e Kosovës, mision i (pa)mundur

Në pamundësi që Kosova të bëj ndryshimet kushtetuese për të formuar Forcat e Armatosura të Kosovës, për shkak të mungesës së votave të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të dielën ka paralajmëruar se në vend të ndryshimeve kushtetuese, do të iniciojë ndryshime ligjore për ndryshim të mandatit aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka theksuar se autorizimet kushtetuese ia lejojnë një gjë të tillë si Komandant Suprem i kësaj force dhe se në ditët në vijim do të fillojë një nismë të tillë, me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, ka thënë presidenti Thaçi në hapjen e manifestimit “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ai i ka bërë ftesë NATO-s që të vazhdojë ndihmën për këtë forcë.

Në anën tjetër, për ndryshimet kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, nevojiten dy të tretat e votave të shumicë së deputetëve, si dhe dy të tretat e shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët serbë deri më tash nuk janë pajtuar me formimin e ushtrisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq nga radhët e Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimi i mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të ishte jokushtetues dhe se deputetët serbë do të kërkojnë që të respektohet dispozitat kushtetuese lidhur me këtë çështje.

“Të gjitha nismat që janë jashtë kësaj, mendoj për një afat të gjatë, nuk janë të mira për askënd dhe e tillë do të tregohet edhe kjo iniciativë”, ka thënë Stojanoviq.

Ai ka shtuar se për një transformim të tillë nuk janë zhvilluar asnjëherë bisedime serioze me përfaqësuesit e serbëve. Sipas tij, Forcat e Armatosura të Kosovës, për shumë arsye janë të panevojshme dhe se iniciativa e presidentit Thaçi është politikë ditore, “e cila nuk do të kontribuojë që kushdo qoftë në Kosovë, pas kësaj të jetojë i sigurt”.

Por, Anton Quni, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka shpjeguar se ky komision, paraprakisht pati marrë një projektligj i cili parashihte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, ende është e paqartë se a bëhet fjalë për këtë projektligj apo ndonjë tjetër. Megjithatë, ai shpreson që nisma e presidentit Thaçi ta ketë mbështetjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo rrugëtim tjetër, pa bashkëveprim të mirë me partnerët tanë strategjik, do të ishte një lloj i aventurës dhe do të mund të ketë pasoja të rënda për institucionet e Kosovës, por edhe për sigurinë në përgjithësi”, është shprehur deputeti Quni.

Mendim të ngjashëm pati shprehur edhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, javën e kaluar.

“Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërmarrim ndonjë vendim apo vendim unilateral, por gjithsesi veprimet tona duhet t’i koordinojmë me faktorin ndërkombëtar”, ka theksuar ministri Demolli.

Po ashtu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, javën e kaluar, mundësinë e transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura përmes një ligji të veçantë e ka hedhur poshtë edhe Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, ky transformim, e as ndryshimi i mandatit të FSK-së, nuk mund të bëhet pa ndryshimet kushtetuese, të cilat aktualisht mbeten peng i votës së dyfishtë të deputetëve serbë.

“Transformimi i FSK-së përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së sotshme dhe amendamenteve që kanë kaluar kontrollin kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së. Mandati i çdo ushtrie përcaktohet me Kushtetutë dhe jo me ligj”, ka thënë Hasani.

Forca e Sigurisë së Kosovës janë forcë shumetnike, e armatosur lehtë dhe me uniformë, e cila aktualisht ka për detyrë të zbatojë operacione në rast të krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione këto për mbrojtjen civile në Kosovë dhe për të ndihmuar autoritetet civile në rast të fatkeqësive elementare dhe rasteve tjera të jashtëzakonshme.

Artikulli paraprakZhvillohet qetësuesi i dhimbjeve pa efekte anësore
Artikulli vijuesUkraina çon Rusinë në Gjykatën e Hagës