Ushtritë e Ballkanit përqafojnë medien ushtarake

Ushtritë ballkanike po përtërijnë medien ushtarake për të nxitur transparencë më të madhe në punën e tyre si dhe në integrimin evro-atllantik, thanë zyrtarët.

Media ushtarake është bërë një shërbim profesional gjithnjë e më në rritje, që tani u shërben gjithashtu civilëve dhe punëson ekspertë civilë, tha Marko Milosheviç, kërkues në Qendrën për Politikën e Sigurisë të Beogradit.

“Rezultati përfundimtar është një transparencë më e madhe e ushtrisë dhe një ndjeshmëri për të rritur kontrollin cilësor të këtij institucioni, që reflekton si përgjegjësi më e madhe,” i tha Milosheviç SETimes.

Ushtria e Serbisë menaxhon 32 faqe, një llogari twitteri, një profil facebook-u dhe ka 150.000 pasues, një kanal Youtube, një studio filmi dhe një shtëpi botuese.

Por kryesorja për ushtrinë është revista e përdyjavshmeOdbrana(Mbrojtja), që gjendet në kioskat anembanë Serbisë si dhe në internet, që raporton të gjitha çështjet e rëndësishme të ushtrisë.

Revista është bërë një referencë e cituar nga agjencitë e lajmeve, botimet e përditshme dhe periodike dhe stacionet televizive, tha Jovan Krivokapiç, zëdhënës për ministrinë e mbrojtjes të Serbisë.

Krivokapiç tha se qëllimi strategjik është të informojë më mirë publikun për reformat e sektorit të mbrojtjes, profesionalizmin e ushtrisë dhe bashkëpunimin e vet ndërkombëtar.

“Përpjekjet sigurisht kontribuojnë në transparencën e ushtrisë serbe, efektshmërinë e saj dhe demokratizimin e shoqërisë,” i tha Krivokapiç SETimes.

Në Maqedoni, zyrtarët thanë se botimet e shtypura dhe në internet të ministrisë së mbrojtjes informojnë publikun mbi të gjitha aspektet e jetës lidhur me ushtrinë dhe çështjet e mbrojtjes.

Ministria shkriu disa publikime dhe tani prodhon revistën e përmuajshme Stit (Mburoja), revistën ndërkombëtare Contemporary Macedonian Defencedhe gazetënVest (Lajme).

“Në interes të sigurimit të nivelit më të madh të transparencës, ne synojmë të arrijmë një audiencë sa më të madhe të mundshme,” i tha SETimesIvan Petrushevski, botues në ministrinë maqedonase të mbrojtjes.

Për të bërë këtë, ministria boton Stit në maqedonisht dhe shqip dhe siguron që ajo të jetë në dispozicion gjerësisht në kioskat e gazetave dhe internet.

Zyrtarët thanë gjithashtu se revistat ushtarake, përfshirë të përmuajshmen e Malit të Zi, Partner, raportojnë e diskutojnë rregullisht nivelin e arritur të integrimit evro-atllantik dhe transformimin sipas standardeve të NATO-s.

“Partnerështë gratis dhe shtetasit mund ta gjejnë atë në kioskat e gazetave. Ajo shpërndahet gjithashtu në të gjitha institucionet shtetërore në Malin e Zi, përfaqësuesit e parlamentit, OJQ-të, degët e medieve, misionet e huaja diplomatike dhe ministritë rajonale të mbrojtjes,” i tha ministria e mbrojtjes në një deklaratë SETimes .

Duke dhënë më shumë informacion më me gatishmëri ndaj publikut, duke përfshirë medien civile, ushtria e ka bërë transparencën pjesë të procesit më të gjerë të demokratizimit, tha MiIlosheviç.

“Media ushtarake është bërë më profesionale dhe objektive, më e hapur ndaj verifikimit, gjë që ka kontribuar në demokratizimin e vetë ushtrisë. Janë vetëm pak tema ‘të ndaluara’ sot dhe autoritetet civile mund t’i kontrollojnë dhe sanksionojnë ato,” tha ai.

Raportimi dhe analiza e shpejtë dhe cilësore e ka vënë transparencën ushtarake në një nivel me vendet e tjera të zhvilluara, tha Blagoja Markovski, president i Forumit të Sigurisë së Ballkanit, në Shkup.

“Shtetasit sigurisht përfitojnë nga qenia të mirë-informuar lidhur me nivelin e gadishmërisë së mbrojtjes në vend, në vendet e tjera si dhe përparimin në fitimin e standardeve të NATO-s,” i tha Markovski SETimes.

Artikulli paraprakDeklarata e Lidhjes së Dijetareve te Muslimanëve, për luftimet ndërmjet formacioneve luftarake në Siri.
Artikulli vijuesSiri: KS i OKB-së Nesër diskuton një projektrezolutë për ndihmat humanitare