Pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë kanë dëbuar drejt territorit grek, refugjatët që kaluan ilegalisht kufirin me Maqedoninë gjatë ditës së hënë. Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për rreth 2.000 refugjatë të ndarë në dy grupe, që pasditen e së hënës arritën të kalojnë në këmbë kufirin, pa lejen e autoriteteve të Maqedonisë. Vendimin për kthimin e tyre në Greqi e ka sjellë Qendra për menaxhim me kriza, për shkak të pamundësisë për strehimin e tyre, por edhe për shkak të mbylljes së “rrugës ballkanike” për vijimin e mëtejshëm të refugjatëve drejt Evropës Perëndimore.
Bashkë me refugjatët, që kishin hyrë në territorin e Maqedonisë në mënyrë ilegale, ishin edhe 72 gazetarë të huaj, të cilët janë gjobitur nga 510 euro, për kalim të paligjshëm të kufirit. Pas incidentit të një dite më parë, Maqedonia ka forcuar masat e sigurisë në kufirin jugor me Greqinë.
Nga ana tjetër Kryeministri grek Aleksis Cipras tha sot se nuk do të ketë hapje të kufijve ballkanikë dhe u bëri thirrje refugjatëve që të kthehen në qendrat e pranimit të ngritura nga shteti grek.